PËRFAQËSUESJA - KONFERENCA
Arben Krasniqi: “Po e ndërtojmë strukturën”
1 August, 2016 @19:39
Përveç kryetarit Belegu dhe lojtarëve, para mediave sot foli edhe Arben Krasniqi, përzgjedhësi i Kosovës.
“Që nga data 7 korrik i kemi zhvilluar gjithsej 33 seanca stërvitore. Së pari në përgatitje kanë qenë basketbollistët vendorë, ndërsa më pas na janë bashkangjitur edhe tre të huajt.
Fatkeqësisht disa lojtarë shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës nuk kanë mundur të na bashkëngjiten, disa për arsye objektive e disa për subjektive, por e rëndësishme është se asnjëri prej tyre nuk kanë thënë që kurrë nuk do të luajnë për Kosovën, andaj shpresojmë se në të ardhmen do të na bashkëngjiten.
Për ne është e rëndësishme ta ndërtojmë strukturën e Kombëtares dhe të gjithë kur e kemi nisur këtë projekt edhe kemi besuar në një gjë të tillë. Unë i falënderoj të gjithë për mbështetjen e parezervë, por njëkohësisht dua t’i falënderoj lojtarët për punën dhe angazhimin e madh që po e bëjnë në çdo stërvitje.
Justin Doellman i ka zhvilluar gjatë një edicioni 80 ndeshje, pastaj Dardan Berisha gjithashtu ka shumë ndeshje të luajtura gjatë një edicioni, por të dy këta lojtarë, por edhe të tjerët që janë pjesë e Kombëtares e që kanë pasur një edicion të ngarkuar kanë pranuar që me kënaqësi t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës, por edhe të djersiten për këtë fanellë. Unë si trajner i të gjithë këtyre lojtarëve jam shumë krenar me gjithë atë që e kanë bërë deri më tani.
15 lojtarët do të vazhdojnë stërvitjet me Kombëtaren, në Estoni do të udhëtojnë 14, kurse në Qipro dhe Itali do të udhëtojnë 13, ndërsa një javë para ndeshjes së parë kualifikuese do të publikojmë 12-shen përfundimtare”. - ishin fjalët e Krasniqit para mediave.