STREETBALL 2016
Kompletohen 8 superfinalistët
Teksti: Streetball Kosova
31 July, 2016 @21:32
Pas ndeshjeve të luajtura në Mitrovicë, janë kompletuar skuadrat pjesëmarrëse në superfinalen e Ferizajit.
“Ata” në kategorinë profi dhe “MM Cana Kualitet” tek amatorët përmbyllin tetëshen superfinaliste.
Në Mitrovicë, ekipi ATA ka mposhtur në finalen e kategorisë profesioniste skuadrën NEWBORN SFERA me rezultat 11:15, për ta kompletuar tetëshen, e cila të dielën e ardhshme më 7 gusht, në Ferizaj do të garoj për titullin e kampiones së Limak Streetball Kosova 2016.
Gazmend Musliu, veterani i streetballit kosovar, së bashku me shokët e tij Adem Tahirin, Albert Muharremin dhe Ilir Hasanin, në ndeshjen finale mposhtën veteranin e njohur të basketbollit kosovar, Naim Hajrizin, që kishte ardhur për të ndihmuar një tjetër veteran të streetballit kosovar Fidan Hamitin, Valdet Nuredinin dhe Virxhil Manxhollin.
Dueli në fillim kaloi në shenjë të bombardimeve përtej vijës 6,75, nga njëra anë me dy dyshe të Gazmend Musliut dhe nga ana tjetër me përgjigjen e Naim Hajrizit. Në fund, ishin sërish dyshet e Ilir Hasanit dhe të Gazit, ato që i siguruan ekipit ATA kualifikimin në superfinalen e sivjetme.
Ndërkohë në konkurrencën e amatorëve, kampione u shpall skuadra MM CANA KUALITET, me ish-basketbollistin e Trepçës, Erblin Ademin, trajnerin e skuadrës Izet Tahirin dhe dy djelmoshat e rinj, Ardit Tahirin dhe Ngadhnjim Shabanin. Në finale, kjo skuadër mposhti ekipin GREEN të prirë nga fluturuesi mitrovicas, Safet Vallqi dhe të përbërë nga Flamur Sahiti, Faton Aliu dhe Genc Rexhepi.
MM CANA KUALITET në finale triumfoi me rezultat 11:6, kryesisht duke i falënderuar shënimeve të Izet dhe Ardit Tahirit por edhe faktit që ekipi GREEN shumë shpejt hyri në bonus prej 6 gabimeve, që sipas rregullave të basketit 3x3, i mundëson ekzekutimin e nga dy gjuajtjeve të lira.
Pra, me triumfin e ekipit ATA tek profesionistët dhe MM CANA KUALITET tek amatorët, është përcaktuar lista e skuadrave superfinaliste në të dyja kategoritë, që javën e ardhshme do të udhëtojnë për në Ferizaj.
Në kategorinë e profesionistëve, tetë skuadrat e kualifikuara janë:
1. Che Bari – Ferizaj
2. Shmekat – Prizren
3. United Basketball – Gjilan
4. 123 - Gjakovë
5. Seba Team – Prishtinë
6. Turistat – Pejë
7. Ata – Mitrovicë, si dhe kampionia e edicionit të kaluar, Limak Streetball Kosova 2015
8. Vision Group - Mitrovicë
Në kategorinë e amatorëve janë kualifikuar:
1. Kuq e Zi – Ferizaj
2. GoldGym - Prizren
3. Boll Shanc - Gjilan
4. Ortodent – Gjakovë
5. Arleo - Prishtinë
6. Juventusi – Pejë
7. MM Cana Kualitet – Mitrovicë, si dhe kampionët e edicionit të kaluar
8. Katërshja - Prizren