PETAR MIJOVIC - PAS NDESHJES
Bashkimi dhe Prizreni meritojnë më shumë
25 April, 2016 @21:54
Përkundër humbjes trajneri i Bashkimit, Petar Mijovic, ka qenë krenar me lojën e treguar të lojtarëve të tij sot ndaj Prishtinës.
Ai ka thënë se ekipi ka dhënë maksimumin përkundër bankës së varfër, ndërsa ka shtuar se ekipi i tij do të luftojë deri në sekondën e fundit në çdo ndeshje ndaj bardhekaltërve përkundër se ata janë më të fortë.
“Në ndeshje me ekipet e forta po luajmë edhe më mirë. Sidoqoftë, kemi mungesa të lojtarëve, pasi që e dini me kohë u larguan Gerti Shima, pastaj Marcel Jones e edhe Tay Waller, e sonte edhe Griffin Ramme u lëndua, që nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjet tjera,” ka thënë fillimisht ai për mikrofonin e Supersportit.
“Personalisht jam tepër i kënaqur me lojtarët që i kam në dispozicion. Çdonjëri prej tyre po e jep maksimumin në çdo ndeshje,” ka thënë më tej trajneri malazez i portokallezinjëve.
Në fund ai ka pasur një porosi edhe për qytetin e Prizrenit dhe për Bashkimin në veçanti.
“Unë një gjë e di, që Bashkimi dhe Prizreni meritojnë më shumë se kaq. Nuk jam i kënaqur me gjysmëfinale. Duhet më shumë. Ky është sporti dhe ne do të mendojmë tash edhe për stinorin tjetër. Ndërsa ndaj Prishtinës çdo fitore që do ta arrijmë në këtë seri do të jetë sukses i madh për ne,” ka thënë në fund ai.
Seria gjysmëfinale e Play-Offit prej Prishtinës tash bartet në Prizren, ku luhen dy ndeshjet e radhës. Në finale shkon ekipi që arrin 3 fitore së pari. Prishtina është në epërsi 1-0 ndaj Bashkimit.