CONSTANTINIDES - PAS NDESHJES
Çereku i parë i papranueshëm! Tifozë kthehuni!
25 April, 2016 @21:11
Trajneri qipriot i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, ka pasur shumë mesazhe pas ndeshjes së fituar me vështirësi ndaj Bashkimit sot.
Së pari, ai ka bërë të ditur se ka qenë tej mase i nervozuar me paraqitjen e ekipit në çerek të parë.
Pastaj ka thënë se ekipi i tij në Prizren do të kërkojë finalen, por jo me këtë lojë. Ndërsa në fund i ka thirrë tifozët që të vazhdojnë përkrahjen për bardhekaltërit, ngase u duhen.
“Jam tejet i dëshpëruar me paraqitjen e ekipit në pjesë të parë, veçanërisht në çerek të parë. Ne duam të shkojmë në finale. Por është e papranueshme të pranohen 22 pikë në çerekun e parë të ndeshjes. Nuk di a e ka arritur këtë dikush deri sot në Prishtinë. 22 pikë nuk guxojmë të pranojmë brenda 10 minutave të para të ndeshjes,” ka thënë fillimisht Constantinides.
Më pas ai ka uruar lojtarët e tij për rikthimin në lojë dhe për fitoren.
“Në pjesë të dytë u këndellëm dhe dua t’i urojë lojtarët për rikthim dhe fitore. Duhet të kryejmë serinë gjysmëfinale në Prizren. Duhet të punojmë dhe të përmirësohemi, për të arritur finalen që në Prizren,” ka shtuar ai për mirkofonin e Supersportit pas ndeshjes.
Kurse në fund Constantinides i është kthyer mikrofonit për të çuar një mesazh për tifozërinë e ekipit.
“Deri tani kemi shënuar 29 fitore dhe vetëm 2 humbje prej se jam unë këtu. Kemi fituar trofeun e ligës ballkanike dhe Kupën e Kosovës. Si mesazh prej meje dhe lojtarëve, duam t’i kemi tifozët në të gjitha ndeshjet tona, ngase na duhen në çdo ndeshje,” ka thënë krejt në fund Constantinides.
Pas kësaj ndeshjeje, Sigal Prishtina është duke avancuar serinë gjysmëfinale ndaj Bashkimit 1-0, ndërsa në finale kalon ekipi që arrin 3 fitore. Përballja e radhës luhet në Prizren.