PRIZRENI-BASHKIMI
Bashkimi fiton derbin e qytetit
27 March, 2019 @20:54
Bashkimi ka arritur të shënojë fitore në derbin e qytetit, duke e mposhtur për herë të tretë këtë stinor në kampionat Prizrenin.
Portokallezinjtë kampionë triumfuan sonte me 7 pikë dallim 91-84 në Sezai Surroi, falë lojës së mirë të treguar në çerek të dytë të ndeshjes kur shtuan avantazhin plus 16 pikë, për të pushuar me 20 pikë në konto, pas pjesës së parë.
Prizreni përkundër se bëri gjithçka në pjesë të dytë, ka qenë pamjaftueshëm për të shkrirë epërsinë e kampionit [26-19 III dhe 25-19 IV].
Jordan Capps ka qenë lojtari më efikas i ndeshjes. Amerikani shënoi 26 pikë për ekipin e tij në fitore, ndërsa regjistroi edhe 6 kërcime e 4 asistime në fitore.
Përveç tij u dalluan edhe 5 lojtarë tjerë me pikë dyshifrore, ndërsa Drilon Hajrizi e Mike Martin shënuan secili nga 15, e Ujkan Karanezi ka qenë i vetmi në ekip me double-double prej 10 pikëve e 11 kërcimeve në fitore.
Te Prizreni loja e mirë e Malcolm Canadas në pjesë të dytë nuk ka mjaftuar. Canada, që vazhdoi kontratën edhe për një stinor me Prizrenin, ka shënuar 25 pikë, 11 kërcime e 8 asistime për ekipin e tij, ndërsa njëjtë edhe Urim Zenelaj regjistroi double-double me 22 pikë e 10 kërcime.
Njeriu që shkëlqente për ekipin në pjesë të parë të stinorit, ka rënë nga forma. Elliott Cole ka kryer ndeshjen me vetëm 7 pikë, ndërsa për tre pikë ka shutuar 1/10!
Me këtë fitore Bashkimi mbyll stinorin e rregullt ndaj rivalit lokal 3-1 në kampionat dhe barazon bilancin në klasifikim 12-12, njëjtë sikurse Prizreni.
Në xhiron që vjen Bashkimi do të pret fituesin e Kupës, Prishtinën, ndërsa Prizreni do të ketë punë ndaj Yllit në Suharekë.