PRIZREN
Bashkimi interesohet për Ligë Ballkanike!
30 May, 2014 @21:58
Skuadra që arriti finalen e Kupës së Kosovës në stinorin e posapërfunduar dhe njëkohësisht edhe gjysmëfinalist i Play-Offit, Bashkimi, ka shfaqur interesim për pjesëmarrje në Ligën Ballkanike, ka njoftuar sot Federata e Basketbollit të Kosovës në një publikim të saj.
Skuadra prizrenase duket se është në bisedime me disa sponsorë serioz dhe ka shqyrtuar mundësinë për pjesëmarrje në garë ndërkombëtare, që do të ishte për herë të parë për ekipin në fjalë.
Mirëpo, FBK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se përparësi në këtë rast kanë Sigal Prishtina dhe Peja, derisa për interesimin e Bashkimit do të njoftohen drejtuesit e BIBL prej të cilëve do të pritet përgjigje për këtë.
Portokallët prizrenas kanë përfunduar stinorin 2013/14 në vendin e tretë, menjëherë pas Sigal Prishtinës dhe Pejës, derisa kanë qenë ekipi i vetëm jashtë dyshes më të mirë kosovare që i ka shkaktuar humbje njërës nga këto skuadra, duke e mposhtur Pejën në një ndeshje gjatë gjysmëfinales së Play-Offit, përkundër se u eliminuan nga ata.