PLAY OFF FINAL
Nata e titullit apo e shpresës!?
29 May, 2014 @9:13
Fituesja e Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina, është shumë afër t’ia kthejë borxhin e stinorit të kaluar kampiones në fuqi, Pejës. Dhe këtë, duke ua marrë titullin kampion me rezultat 3-0 në serinë finale të Play-Offit, pikërisht ashtu si i kishin bërë verdhezinjtë bardhekaltërve.
Sonte zhvillohet ndeshja e tretë e serisë finale në Prishtinë dhe me fitore eventuale të Sigal Prishtinës, do të merr fund stinori 2013/14 i basketbollit kosovar duke e shpallë Sigal Prishtinën kampione, për herë të parë pas dy stinorëve disfata në finale.
Peja e lënduar
E Peja, natyrisht që nuk është dorëzuar, por krejt varet se sa janë basketbollistët e saj të motivuar t’i kundërvihen prishtinasve për të arritur kthesën më të madhe në basketbollin kosovar ndonjëherë. Deri më tani asnjë skuadër nuk ka arritur të kthejë në finale rezultatin nga 2-0 në 2-3, por shpresa vdes e fundit, thonë.
Peja ka të dyshimtë paraqitjen e alo-qendrës shqiptare, Gerti Shima, për shkak të një lëndimi, derisa Drilon Hajrizi, që ishte në formë të mirë në ndeshjen e dytë, me bashkëlojtarët tjerë do të tentojnë fitoren. Te Peja mungon edhe qendra kroate Teo Simovic, që u lëndua në gjysmëfinale të Play-Offit ndaj Bashkimit.
E treta, e vërteta
Sigal Prishtina në anën tjetër, që kërkon t’ia kthejë 3-0 Pejës nga finalja e stinorit të kaluar ka të lënduar dyshen e huaj, Tay Waller dhe Aurimas Kieza. Derisa basketbollistët tjerë janë të motivuar për fitore maksimalisht dhe për t’ia kthyer titullin kryeqytetit, pas dy vitesh disfata në finale (2011/12 nga Trepça 3-2 dhe 2012/13 nga Peja 3-0).
Sigal Prishtina ka qenë superiore ndaj Pejës këtë stinor, duke arritur 8 fitore, krahas 2 humbjeve, që nga fillimi i stinorit kur fituan Superkupën.
SUPERLIGA/ PLAY-OFF Finals:
Sigal Prishtina - Peja | 72-66 (1-0) | ||
Peja - Sigal Prishtina | 87-90 (0-2) | ||
Sigal Prishtina - Peja | ? |