BASHKIMI - PRISHTINA
Bashkimi përmbys Prishtinën në çerekun e fundit fenomenal
29 February, 2020 @20:54
Skuadra e Bashkimit ka arritur t’ia shkaktojë Prishtinës humbjen e dytë në duelet direkte të stinorit të rregullt, duke e mposhtur kampionin aktual në Sezai Surroi 89-82.
Mirëpo, ndeshja ka qenë tejet interesante dhe vështirë besohej se Bashkimi do të mund të rikthehej në lojë pas çerekut të dytë superior të Prishtinës, 10-36.
Sidoqoftë, Bashkimi në çerek të fundit të lojës ka bërë gjithçka për të përmbysur epërsinë e kampiones aktuale dhe kështu ka fituar në fund me 7 pikë dallim, 89-82 [28-13, 10-36, 25-23 dhe 26-10].
Paraqitja fenomenale e portokallezinjëve në çerek të fundit ka lënë Stevie Clarkun shumë afër triple-double’it, duke përfunduar ndeshjen me 17 pikë, 12 kërcime e 9 asistime, ndërsa më efikasi te vendasit ka qenë Terik Bridgeman me 22 pikë të shënuara.
Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Qëndrim Biraj me 10 pikë e Ujkan Karanezi me 7 sosh, derisa Corey Ross shënoi 15 pikë e 5 kërcime në fitore.
Te Prishtina, që shkëlqeu në çerek të dytë dhe u mbajt mirë në çerek të tretë të ndeshjes më efikasi ka qenë Anthony Goods që ka shënuar 24 pikë, ndërsa Fahro Alihodzic kreu ndeshjen me double-double prej 13 pikësh e 10 kërcimesh, por të pamjaftueshme për pikë të plota.
Bashkimi me këtë fitore bën bilansin 14-9, ndërsa Prishtina tash ka bilansin 17-6.