DEKLARATA E TRAJNERIT TË YLLIT

Foto: KBYlli/fb
Bećiragić: I kam lojtarët më të mirë në botë
3 April, 2022 @1:37
Adis Bećiragić, trajner i Yllit, që po kalon sezonin e dytë te skuadra suharekase, pret që ekipi i tij të merr vendin e parë në fund të stinorit të rregullt edhe në Superligë, pas Ligës Unike.
Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe tri xhiro, ndërsa Ylli është i pari me dy fitore më shumë sesa Trepça dhe aktualisht një ndeshje më shumë, e cila është ndjekësja e parë dhe kryesore e suharekasve.
Sa i përket duelit të sontëm, ai ka thënë se në pjesë të dytë nuk ka shkuar asgjë mirë për lojtarët nën kosh të tij, ndërsa këtë e ka shfrytëzuar maksimalisht Prishtina për t’iu afruar krejtësisht dhe lehtë do të arrinin edhe te fitorja.
“Ata kanë avantazh ndaj secilit ekip në Kosovë, pasi që kanë mundësinë e rotacionit në 10 lojtarë, e ndonjëherë deri në 12 lojtarë. Unë prisja që të biem nga koncentrimi në çerek të fundit, por ramë në cerek të tretë. Në fund, të dyja ekipet mund ta fitonin lojën, por ne e bëmë këtë. Kastrati është lojtar i mirë. Nëse ke lojtarë që shënon në këto momente, e fiton ndeshjen,” - ka thënë trajneri boshnjak i Yllit.
Në ndërkohë, ai u pyet edhe për cilësinë e lojtarëve në skuadër, se a do të arrijë që me kontingjentin ekzistues të mbrojë titujt e Superligës dhe Ligës Unike.
“Filozofia ime është e thjeshtë. Lojtarët e mi janë më të mirët në botë. Pra, në këtë moment, për mua secili lojtar që e kam në ekip, është lojtari më i mirë. Prandaj, kjo është kjo,” - ka qenë i qartë Bećiragić 51-vjeç, duke dalë në mbrojtje të basketbollistëve të tij, para pjesës finale të sezonit.
Ylli duket se ka siguruar gjysmëfinalen e PlayOffit të Superligës, ndërsa është në kërkim që të vulosë edhe vendin e parë, për të cilën kanë mbetur edhe tri xhiro.
Suharekasit gjithashtu, si fitues të stinorit të rregullt në Ligën Unike, kanë kaluar direkt në gjysmëfinale dhe presin kundërshtarin fitues nga çerekfinalja, për të luajtur Final Fourin e garës tjetër ku po marrin pjesë.