KOMENT
Breca dhe Peja
22 September, 2013 @16:06
Prishtinasi Fahri Breca nënshkroi me Pejën pardje. Ai tashmë është lojtar i ri i kampiones së Kosovës në basketboll, Peja. Prezent të enjten në palestrën 1 Tetori, bisedoi edhe me Pejën edhe me Bashkimin që e kërkonte sa kohë.
Në fund vendosi për Pejën. Të premten. Oferta pejane ka qenë më e majme se ajo prizrenase dhe Breca kaloi në Karagaç.
Stinorin e kaluar ai ishte ndër më të urryerit e tifozëve të Pejës, derisa fërkohej shpesh me Dardan Berishën gjatë përballjeve ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës. Por, me kalimin e Dardan Berishës në Prishtinë, si duket do të shohim përsëri duele interesante.
Sipas kreut pejan, Art Gashi, Breca ka qenë kërkesë ekskluzive e trajnerit të ri kroat të tyre, Danijel Lutz. Strategu kroat ka menduar që me Brecën do të mund të mbulonte sadopak hapësirën e Samir Shaptahovicit, i cili duhet të pushojë nga pak në ndeshje.
Mirza Ahmetbasic, përkundër se është heret të flitet, nuk u tregua shumë në ndeshjen e Superkupës dhe si duket ndërrimi i pozitave është i pashmangshëm. Me Brecën, Peja ka fituar edhe një organizator në ekip, edhe pse stinorin e kaluar Ahmet Kandemir (ish trajner i Prishtinës) pat thënë se kjo pozitë nuk i shkon përshtati atij, por sidoqoftë kryen punë. Breca arriti të bind të gjithë me agresivitetin e tij se mund të bart barrën dhe tani më do të vesh fanellën verdhezi dhe do të shohim se si do të përshtatet në ekipin kampion, gjatë stinorit vijues si në Superligë ashtu edhe në Balkan League.