EUROBASKET 2013
Ukraina godet Italinë
20 September, 2013 @16:40
Befasia e këtij Kampionati Europian, padyshim ishte Ukraina. Së pari, në fazën e parë të grupeve, arritën rezultate pozitive, pastaj dolën edhe nga grupi i fazës së dytë.
Në çerekfinale, nuk patën fuqi të përballen me Kroacinë, të cilët janë duke kaluar një kampionat të shkëlqyeshëm. Megjithatë, ukrainasit arritën ta mposhtin Italinë me rezultat 66-58, në ndeshjen për pozicionim përfundimtar në Eurobasket 2013 që nisi më 4 shtator.
Playmakeri Eugene Jeter ishte më i disponuari në radhët e ukrainasve. Ai shënoi 20 pikë e 4 asistime, duke luajtur rol të rëndësishëm në fitoren e skuadrës së trajnerit Mike Fratello.
Ukraina do të luaj për vendin e pestë me Slloveninë, ndërsa Italia me Serbinë, do të përballen për vendin e shtatë. Ndeshjet do të zhvillohen nesër.