GODITJET E FUNDIT TË REKORD-KAMPIONES

Brooks DeBisschop dhe Erving Walker, përforcimet e mëdha të Prishtinës
11 November, 2022 @10:54
Mbrëmë rekord-kampionia e Kosovës në basketboll, KB Prishtina, ka zyrtarizuar dy basketbollistë amerikanë si përforcime të radhës në skuadër, që pritet të bëjnë dallimin për bardhekaltërit në krahasim me ekipet tjera jo vetëm në Superligë, por edhe në ENBL.
Së pari u zyrtarizua qendra Brooks DeBisschop, që ka qenë pjesë e NCAA me ekipin Northern Arizona, ndërsa në Evropë ka bërë karrierë te skuadrat e njohura si Borisfen i Bjellorusisë, Fraport Skyliners në Gjermani dhe Astros në Meksisë, së fundi.
Prishtina e ka prezantuar atë si lojtar me dorë të butë, që mund të gjuajë me saktësi me të dyja duart.
“Brooks DeBisschop, 24 vjeçar, i gjatë 206cm është lojtari më i ri i skuadrës bardhekaltër. DeBisschop më parë ka luajtur në NCAA për Northern Arizona me mesatare prej 11.9 pikë, 8.1 kërcime dhe 2.9 asisteve për ndeshje. Karrierën profesionale e filloi në Bjellorusi me Borisfenin (36 ndeshje; 12 pikë, 9.1 kërcime, 1.6 bllokada për ndeshje), më pas tek skuadra nga Bundesliga, Fraport Skyliners (9 ndeshje; 3.7 pikë, 4.6 kërcime për ndeshje) dhe së fundmi në Meksikë me Astros (37 ndeshje; 8.5 pikë, 8.1 kërcime, 1.4 asiste për ndeshje). Brooks, është mjaftë i lëvizshëm, atletikë dhe me saktësi në gjuajtje me të dyja duart.”
Pos tij, ekipi bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me edhe me playin me përvojë, amerikanin Erving Walker. Basketbollisti në fjalë ka luajtur në gara të njohura të basketbollit evropian, ndërsa ka veshur fanellat e ekipeve si Zielona Gora në Poloni, Chalon, Dijon dhe Strasbourg në Fracë, ndërsa Demir IBB dhe Pinar Karsiyaka në Turqi.
“Amerikani Erving Walker, 32 vjeçar, i cili luan në pozitën 1, është transferi më i ri në skuadrën tonë. Walker ka një karrierë të bujshme me skuadra të njohura si Zielona Gora (Poloni), Chalon, Dijon dhe Strasbourg (Francë), Demir İBB dhe Pınar Karşıyaka (Turqi). Me skuadrat e lartcekura Walker ka luajtur në Euroligë, Eurocup, FIBA Champions League dhe Europe Cup. Në të gjitha ekipet ku ka luajtur ka pasur paraqitje mbreslënëse, ku veçohen sezonet me skuadrat franceze Strasbourg dhe Dijon. Në sezonin 2018/19 ishte pjesë e Pınar Karşiyakas në Superligën Turke dhe FIBA Europe Cup ku për 44 ndeshje luajti me mesatare prej 12.1 pikë, 3.1 asiste për ndeshje. Kurse në sezonin 2020/21 u transferua tek Trepça, ku ka luajtur me 19.3 pikë dhe 5 asiste për ndeshje por i cili u lëndua rëndë dhe humbi sezonin.”
Me dyshen në fjalë, Prishtina pritet të bëhet shumë e fortë sesa që është në Superligë, por të njëjtit pritet të ndikojnë edhe në ENBL, ku bardhekaltërit në stinorin debutues synojnë PlayOffin së paku.
Pos ndeshjeve në Superligë, Prishtina tashmë ka të caktuar gati thuajse tërë orarin edhe në ENBL, ku do të debutojë me dy ndeshje për dy ditë në Tallinn të Estonisë. Më 26 nëntor ndeshet me ukrainasit e Budivelynikut, ndërsa të nesërmen me estonezët e Calev/Kramos.