I ARDHUR ME BUJË, POR NUK QËNDROI AS 2 MUAJ!

Foto: KBTrepça/ Instabuilt/ fb
Cadarian Raines dhe Trepça - ndahen!
6 January, 2023 @16:10
Ishte zyrtarizuar më 23 nëntor 2022 si përforcim i fuqishëm për të mbrojtur koshin e ekipit, por Cadarian Raines nuk e gjeti veten te Trepça dhe sot ekipi mitrovicas publikoi ndarjen zyrtare me basketbollistin që para “Minatorit” kishte luajtur në Venecuelë!
Përvoja e Rainesit 32-vjeçar me 108-kilogramët e tij nuk kënaqi si duket drejtuesit dhe trajnerin e ekipit, derisa ekipit po i mungojnë rezultatet së fundi dhe kështu me marrëveshje dhe me njoftim të shkurtë, Trepça bëri të ditur se basketbollisti në fjalë nuk është më pjesë e ekipit.
“Me marrëveshje dypalëshe kemi ndërprerë bashkëpunimin me Cadarian Raines. Thank You!” - shkroi shkurt njoftimi i mitrovicasve për lojtarin!
Raines përndryshe me Trepçën luajti vetëm gjashtë ndeshje, ndërsa mesatarisht kishte 23.7 minuta për lojë, duke shënuar 7.3 pikë, 4.5 kërcime dhe 0.7 asistime për ndeshje.