PRISHTINA - YLLI

Dardan Berisha fantastik, Prishtina fiton dhe merr kreun
28 February, 2023 @20:48
Nën udhëheqjen e Dardan Berishës, Prishtina ka shënuar fitore ndaj Yllit në ndeshjen përmbyllëse të xhiros XXIII në Superligë.
Prishtina takimin e sontëm e fitoi me rezultat 74-54, rezultat që e çon në krye të renditjes Prishtinën dhe njëkohësisht ia jep kryeqytetasve epërsinë ndaj Yllit në përballjet direkte këtë sezon.
Çereku i parë ishte më i barabartë dhe u mbyll 21-19 për Prishtinën, kurse skuadra e drejtuar nga turku Kandemir dominoi bindshëm në çerekun e dytë (25-11) dhe kështu në pushim mes pjesëve shkoi me epërsi 16 pikëshe, 46-30 pas 20 minutave lojë.
10-minutëshi i tretë kaloi me pak pikë të shënuara dhe ishte plotësisht i barabartë (14-14), e më pas i fundit përfundoi 14-10 për Prishtinën, për përfundimtaren 74-54.
27 pikë (6 trepikësha) shënoi sonte Dardan Berisha, duke qenë dukshëm më i miri në parket. Pikë dyshifrore te Prishtina sonte patën edhe Dustin Thomas (11) e Jan Palokaj (10).
Te Ylli, më së shumti pikë shënoi Gëzim Morina (11), i vetmi me pikë dyshifrore te kjo skuadrër.
Në 4 ndeshjet e luajtura mes tyre këtë sezon, Ylli ka 2 fitore (68-86 dhe 71-51) dhe Prishtina ka 2 fitore (56-77 dhe 74-54). Në koshdallimin në përballjet direkte mes tyre, prin Prishtina me koshdallim +3 ndaj Yllit dhe nëse skuadrat e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, përparësia në renditje i takon Prishtinës për shkak të koshdallimit më të mirë në përballjet direkte, pasi që rezultati në përballjet direkte është 2-2.
Xhiron që vjen, Prishtina i shkon Vëllaznimit në Gjakovë, kurse Ylli e pret Pejën në takimin që vë përballë skuadrat e renditura në vendet dy dhe tre.