YLLI - PRISHTINA

Fotot: FBK
Prishtina merr fitoren e parë, kampioni ende pa fitore!
17 September, 2022 @18:52
Prishtina ka shënuar fitoren e parë sezonale në Superligë dhe atë duke mposhtur kampionin aktual si mysafir sonte në Suharekë.
Bardhekaltërit në çerekun e parë dhe të tretë kanë treguar lojë të mirë, ndërsa atë e kanë vulosur në cerek të fundit kur vendasit tentuan të rikthehen, por morrën kundërpërgjigje për të thelluar epërsinë dhe në fund, Ylli 56-77 Prishtina [21-27, 14-13, 9-14, 12-23].
Yllit këtë ndeshje kishte trajnerin e rikthyer në ekip, Adis Beciragic, që drejtonte Bosnjën në Eurobasket, ndërsa Prishtina nisi aventurën me Murat Bilge dhe Andin Rashica, pasi që Ekrem Memnun u largua nga ekipi për arsye, siç u tha, personale.
Gjithsesi, me pikët e Dustin Thomas (16) dhe të Rrezart Memedit (13), që ishin më efikasit te Prishtina, rekord-kampionja fitoi ndeshjen, ku me nga 11 pikë kontribuuan Jan Palokaj e Derrick Wilson.
Te Ylli, Bashir Ahmed u dallua me 16 pikë e 6 kërcime, ndërsa 14 të tjera shënoi Chris Harris.
Pas kësaj xhiroje Prishtina me fitoren e parë sezonale bëhet me bilans 1-1, ndërsa Ylli mbetet pa fitore, 0-2.
Për tu theksuar, Prishtina luajti pa Dardan Berishën sonte, ndërsa te Ylli vazhdon lëndimi i Gëzim Morinës.