Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPERKUPA SHKON NË MITROVICË

E treta e vërteta, Trepça fiton Superkupën me Beciragicin

Fotot: FBK

E treta e vërteta, Trepça fiton Superkupën me Beciragicin


17 September, 2023 @20:01

Pas dy finaleve të humbura të Superkupës së Kosovës radhazi, në të tretën Trepça e ka fituar finalen ndaj Pejës për të marrë trofeun e Superkupës së Kosovës në vitrinat e klubit.

Ndeshja ka qenë shumë interesante, ndërsa për një kohë atë e prishin tifozët, por sidoqoftë, dueli vazhdoi deri në fund për të sjellë duele interesante dhe rezultat që u ndërrua krejt në fund të ndeshjes, kur Drilon Hajrizi me pikët e tij nga gjuajtet e lira bëri rezultatin 78-76, ndërsa në sulmin e fundit të Pejës Malcolm Armstead s’shënoi për tre, e topin e kapur nga Meriton Ismaili, përsëri e bllokoi Hajrizi, për të përfunduar ndeshja.

Gëzimi i madh te ekipi që mori këtë verë trajnerin Adis Beciragic, i cili solli Superkupën e parë në klub, pas dy finaleve radhazi të humbura në vitet 2022 dhe 2021.

Drilon Hajrizi

Kevin Bracy-Davis dhe Isaiah Ross kanë dhënë nga 16 pikë për Trepçën, ndërsa ky i fundi dha pikë të rëndësishme në çerekun e katërt, që ndihmoi rikthimin e epërsisë së Trepçës, pasi Peja kishte përmbys avantazhin e mitrovicasve që e mbanin gjatë gjithë ndeshjes.

Derisa Bracy-Davis bëri edhe 3 asistime e 3 kërcime, Ross bëri 4 asistime e 6 kërcime në proces. Drilon Hajrizi ka dhënë 13 pikë, 2 asistime e 5 kërcime, kurse 11 pikë e 8 kërcime i bëri Jordy Tshimanga.

Peja, që përkundër se kapi Trepçën në çerekun e fundit me pikët e Lis Shoshit dhe Meriton Ismailit kryesisht, e humbi duelin papritur në fund pas insistimit të mitrovicasve, ndërsa vet ata, humbën disa shuta të mirë, e kur mbetën edhe 49 sekonda lojë Jacob Callowayit i iku topi nga dora, për ta humbur!

Më efikasi te Peja ka qenë Justin Davis me 16 pikë, 2 asistime e 7 kërcime. Calloway dha 14 pikë, 4 asistime e 8 kërcime, ndërsa 10 të tjera shënoi Meriton Ismaili, që bëri edhe 3 kërcime.

Në fund, Trepça është fituese e Superkupës së Kosovës për vitin 2023.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga