QENDËR E RE NË "SHANI NUSHI"
Vëllaznimi përforcohet me shtatëgjatin Jordan Dallas
16 September, 2023 @18:33
Basketbollisti amerikan Jordan Dallas është lojtar i ri i Vëllaznimit. Ekipi gjakovar ka bërë të ditur të shtunën mbrëma se ka siguruar shërbimet e basketbollistit që mund të luajë në pozitat 4 dhe 5.
Dallas 26-vjeçar dhe 208-centimetra i gjatë së fundi ka qenë pjesë e ekipit qipriot Omonia. Ai aty ka luajtur mesatarisht 28 minuta për ndeshje, duke dhënë 11.5 pikë për lojë, 1.3 asistime dhe 8.6 kërcime.
Lojtari në fjalë para Omonisë ka qenë edhe pjesë e ekipit danez BK Amager dhe atij nga Luksemburgu Amicale Steinsel. Te të dyja ekipet ka pasur mesatare double-double me pikë e kërcime.
Së fundi, Vëllaznimi që mori pjesë në turneun e Superkupës së Kosovës u eliminua në çerekfinale të garës nga ekipi i Yllit të Suharekës. Tash, skuadra e drejtuar nga Audrius Prakuraitis po përgatitet për Superligë që nis muajin tjetër.