TREPÇA, FINALISTJA E PARË!
Dramë në fund, por Trepça kalon në finale
15 September, 2023 @18:57
Pas një ndeshjeje ku Trepça dominoi lehtë në tre çerekët e parë të saj, ka qenë Prishtina që tha fjalën kryesore në çerek të fundit dhe ishte shumë afër që të çonte ndeshjen në vazhdime (19-9).
Por, mitrovicasit e drejtuar nga Adis Beciragic patën fat kur tentimi i Derrick Wilson për tre pikë nuk hyri në kosh dhe pas kësaj as ata nuk arritën të shënojnë, për tu mbyllur ndeshja me 65-68 në të mirë të Trepçës, ndërsa ekipi në fjalë siguroi finalen e Superkupës.
Trepça në finale të Superkupës, të dielën, do të luajë ndaj fituesit të gjysmëfinales tjetër, ku takohen Ylli organizator i turneut dhe Peja kampione aktuale.
Kevin Bracy-Davis dha 25 pikë e bëri 9 kërcime e 4 asistime në fitoren e Trepçës, ndërsa asnjë lojtar tjetër nuk arriti të shënojë pikë dyshifrore për mitrovicasit. Me nëntë pikë ndeshjen e kreu Jordy Tshimanga, ndërsa nga tetë shënuan Mikaile Tmusic e Drilon Hajrizi.
Derrick Wilson ka pasur natë të shkëlqyeshme individualisht, duke dhënë 16 pikë, 6 asistime e 8 kërcime për ekipin. Por në fund, s’mjaftoi për të çuar ndeshjen tutje. Me 11 pikë duelin e mbylli Nick Ward, që bëri edhe 9 kërcime, ndërsa 10 të tjera i shënoi Dardan Berisha.
Me fitore, Trepça siguron finalen e Superkupës dhe do të kërkojë trofeun e parë para edicionit 2023/24 të garave në Superligë, ndërsa Prishtina me sonte mbyll turneun e Superkupës.