SUHAREKASIT, PRITSHËM KALOJNË TUTJE
Ylli siguron gjysmëfinalen
15 September, 2023 @10:58
Skuadra e Yllit ka siguruar gjysmëfinalen e Superkupës në përballjen e luajtur të enjten mbrëma në 13 qershori. Ekipi suharekas ka bërë disa herë shkëputje në rezultat kur vinte fundi i çerekut të parë dhe të tretë, për të bërë dallimin në lojë dhe kështu shkoi te fitorja, duke e eliminuar Vëllaznimin nga Superkupa, me rezultat 82-69 [25-17, 17-18, 24-18, 16-14].
Gjashtë lojtarë të Yllit shënuan pikë dyshifrore në ndeshjen që ishte debutuese në basketbollin e Kosovës për trajnerin e ri të tyre, Kostas Flevarakis. Me nga 14 pikë u dalluan Gëzim Morina dhe Henrik Sirko. Ndërsa 12 të tjera shënoi Dajuan Graf.
Te Vëllaznimi, ku debutoi Audrius Prakuraitis më efektiv u tregua Jalen Ray me 22 pikë të shënuara, ndërsa 15 të tjera i dha Samuel Sessoms. Shëndrit Llapi u bë lojtari i vetëm që shënoi double-double, duke dhënë 12 pikë e duke bërë 11 kërcime.
Ylli në gjysmëfinale ndeshet me Pejën.