DUELET E RADHËS
Sot, dy çerekfinalet e radhës në Superkupë
14 September, 2023 @11:28
Me fillim prej orës 17:00 sot në 13 qershori të Suharekës vazhdohet me çerekfinalet e mbetura në kuadër të Superkupës së Kosovës. Derisa dje së pari Prishtina e më pas edhe Trepça siguruan lehtë kalimin në gjysmëfinale, në përballjet e sotme pritet të shihet se çfarë përgatitje dhe çka kanë përgatitur ekipet për duelet e tyre.
Prej orës 17:00 nis dueli ndërmjet Pejës dhe Prizrenit. Dy skuadrat deri tash kanë bërë përforcimet e lajmëruara, ndërsa për Peja ka bërë të ditur se ka zhvilluar edhe duele miqësore në Maqedoni të Veriut. Për Prizrenin në anën tjetër pritet të debutojë trajneri i parë i huaj në histori të klubit, Tuncay Bostanci. Peja ka vazhduar me trajnerin që i bëri kampion, Rami Hadar.
Pas këtij dueli, prej orës 20:00 në të njëjtën palestër luhet përballja mes Yllit dhe Vëllaznimit. Ylli si organizator në këtë ndeshje pritet të ketë edhe përkrahje më të madhe nga publiku vendas, derisa ekipi drejtohet nga greku që do të debutojë në basketbollin kosovar, Kostas Flevarakis.
Përballë tij, greku do të ketë lituanezin Audrius Prakuraitis që ka bërë karrierë në Kosovë dhe njeh mirë ekipet, pasi që ka drejtuar Prishtinën më parë, ndërsa në stinorin e kaluar Bashkimin.
Fituesit e këtyre dy çerekfinaleve do të takohen në gjysmëfinale të Superkupës, ku do të kërkojnë edhe biletën për finalen e së dielës.