REAGON TREPÇA!
Trepça reagon pas ndodhive në finalen e Superkupës
18 September, 2023 @11:28
Fituesja e Superkupës së Kosovës, Trepça, ka lëshuar një reagim sot, pas ngjarjeve që ndodhën dje në finale të Superkupës, ku ekipi mitrovicas mposhti Pejën dhe fitoi trofeun.
Finalja u ndërpre për shkak të incidenteve të tifozëve, që hudhnin gjësende në fushë të lojës, ndërsa zyrtarët e ndeshjes u desht që të largonin një pjesë të tyre për të siguruar mbarëvajtjen e duelit.
Për më tepër, Trepça ka shprehur përkushtimin për të luftuar dukuritë negative dhe ka bërë të ditur se do të merr masa të rrepta ndaj individëve që shkaktojnë gjëra të tilla.
REAGIMI I PLOTË I KB TREPÇA:
Reagim!
Klubi i basketbollit Trepça shpreh shqetësimin për disa episode jo të mira gjatë dhe pas finales së Superkupës së Kosovës në basketboll, Trepça - Peja, e zhvilluar të dielën në Suharekë.
Klubi i basketbollit Trepça angazhohet maksimalisht për sjellje të dinjitetshme të të gjithë akterëve në ndeshjet e basketbollit, duke përfshirë shikuesit në tribuna. Në të njëjtën kohë klubi ynë dënon sjelljen e disa individëve të caktuar, që mundohen të kamuflohen brenda grupeve të tifozëve, që i bëjnë dëm klubit tonë, imazhit të klubit dhe basketbollit në përgjithësi.
Jemi të përkushtuar që të luftojmë dukuritë negative dhe nga ndeshja e ardhshme do të ketë masa të rrepta ndaj atyre individëve që me veprimet e tyre bien ndesh me misionin e klubit dhe basketbollit Kosovar.
Gjithë tifozët i urojmë për suksesin e arritur dhe në të njëjtën kohë i lusim për kujdes që të distancohen nga individët që me veprimet e tyre i sjellin dëme klubit tonë.