SIGAL PRISHTINA - TSMOKI MINSK
Debutim me humbje, çereku i dytë kushtoi shumë
19 September, 2017 @20:06
Sigal Prishtina është mposhtur në duelin e parë, debutues, të Ligës së Kampionëve në basketboll, nga kundërshtari bellorus, Tsmoki Minsk, 50-57.
Bardhekaltërit edhe pse nisën mirë ndeshjen, 23-21, në çerekun e dytë u ndalën në 3 pikë! për përfundimtaren e pjesës së parë, 26-36.
Kjo u kushtoi shumë prishtinasve, të cilët përkundër dëshirës së madhe nuk arritën të bëjnë më shumë në vazhdim dhe ndeshja përfundoi me fitoren e mysafirëve bellorus, 50-57.
KOSHASHËNUESIT
Dardan Berisha me 14 dhe Maxim Esho me 11 pikë të shënuara kanë qenë të vetmit që kanë shënuar pikë dyshifrore te Sigal Prishtina sonte.
Ndërsa te kundërshtari janë dalluar C. Czerapowicz me 18, A. Semianiuk me 14 dhe D. Kravish me 10 pikë të shënuara.
NDESHJA E RADHËS
Dueli i kthimit zhvillohet më 21 shtator në Minsk të Bellorusisë, ku Sigal Prishtina duhet të shkrijë epërsinë 7 pikëshe të ekipit të Tsmokit.
Në të kundërtën, bardhekaltërit eliminohen nga gara, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve të basketbollit, ku po marrin pjesë për herë të parë.