TRAJNERI I PRISHTINËS, AHMET KANDEMIR
Ahmet Kandemir: Punojmë për të fituar të dyja ndeshjet
Borozani.com në Press Konferencën e Sigal Prishtinës para debutimit në Ligën e Kampionëve të Basketbollit
18 September, 2017 @13:28
Trajneri i rikthyer te Sigal Prishtina, Ahmet Kandemir, ka vlerësuar ekipin e tij, edhepse kishte dashur që të kishin mundësi për më shumë kohë në përgatitje.
Në konferencën e sotme për shtyp para debutimit në ndeshje ndaj Tsmoki Minskut bellorus, trajneri turk i Prishtinës ka theksuar se ekipi është gati, ndërsa presin përkrahje të madhe nga publiku, pasi që në fund të fundit, në parket flet shpirti dhe kapaciteti i lojtarëve e jo buxheti.
“Prej se u pranua Kosova në FIBA, është hapur një dritare e re për ju. Edhe për ekipet, por edhe për lojtarët vendor,” ka nisur konferencën Kandemir sot, që fliste në gjuhën e tij, derisa drejtori Florian Miftari përkthente.
“Liga e Kampionëve të basketbollit është një garë e rëndësishme europiane ku marrin pjesë ekipet me përvojë dhe me buxhet shumë të madh. Për Kosovën dhe ekipet kosovare kjo do të jetë një përvojë krejtësisht e re,” ka shtuar Kandemir.
“Sidoqoftë, kur t’ia nis loja, nuk flet buxheti por shpirti dhe kapaciteti i lojtarëve. Edhepse u përgatitëm shkurt, lojtarët kanë dhënë maksimumin në këto përgatitje. Të kishim pasur mundësi të përgatiteshim për një kohë më të gjatë do të ishte edhe më mirë për ne. Këtu ndikoi edhe ardhja e vonshme e basketbollistëve të Prishtinës që bëjnë pjesë në reprezentacion,” ka bërë të ditur ish-trajneri i Besiktasit, që do të jetë udhëheqësi i bardhekaltërve në këtë garë të rëndësishme të FIBA Europe.
“Në të gjitha raundet kualifikuese, ne do të jemi në ndeshjen e parë vendas. Do të ishte me rëndësi po të nisnim ndonjërën si mysafir, pasi që është një lloj avantazhi. Mirëpo, ne do të koncentrohemi që të fitojmë të dy ndeshjet dhe të mos varemi nga koshdallimi,” ka cekur Kandemir.
“Natyrisht, ne së pari duhet të fitojmë ndeshjen e parë në shtëpi. Presim përkrahje të madhe. Kjo ndeshje nuk është me rëndësi vetëm për Sigal Prishtinën, por edhe për Kosovën si shtet. Sllovenia me numrin e ngjajshëm banorësh si ju e patë ku arriti. Ndoshta edhe basketbolli kosovar do të merr shembull dhe të jetë shpresë kjo arritje. Ne si ekip jemi në formë të mirë dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar ndeshjen,” ka përfunduar konferencën e tij Kandemir, që Borozani.com ua sjellë të plotë.
Dueli ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Tsomki Minskut zhvillohet nesër (më 19 shtator 2017) me fillim në ora 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet, ndërsa bardhekaltërit kampionë të vendit debutojnë në këtë garë.