DUELI PËR VENDIN E TRETË
Spanja e bronztë, për lamtumirën e legjendës
17 September, 2017 @19:48
Spanja ka mposhtur Rusinë në pasditen e sotme në Eurobasket 2017, për të marë medaljen e bronztë në Kampionatin Europian.
Me lojë të mirë, veçanërisht me epërsinë e krijuar në pjesën e parë të ndeshjes, që doli të jetë e pakapshme në fund nga Rusia, për përfundimtaren 93-85.
Pau Gasol përfundoi ndeshjen me double-double prej 26 pikëve dhe 10 kërcimeve, duke shtuar edhe 3 bllokada. Ndërsa vëllau i tij Marc, shtoi 25 pikë tjera.
I pandalshëm në asistime ka qenë sot Sergio Rodriguez që ka shënuar 16 pikë dhe 9 asitime në fitore, ndërsa Juan Carlos Navarro (37 vjeç, 18 minuta, 2 pikë, 1 asistim, 4 kërcime), është hedhur në ajër nga bashkëlojtarët pas ndeshjes, për kontributin e tij shumëvjeçar dhënë për reprezentacionin, pasi që tash e tutje pensionohet nga Spanja.
“E kuptoj që çdo tregim ka fundin e vet, por periudha e Juan Carlosit me reperezentacionin nuk është thjesht tregim. Ajo është një legjendë. E legjendat nuk përfundojnë asnjëherë,” ka thënë përzgjedhësi i Spanjës, Sergio Scariolo, në emocione, për pensionimin e yllit veteran të Barcelonës nga reprezentacioni.
Navarro ka kaluar 16 vite fantastike me Spanjën, ku ka fituar 10 medalje në gara të mëdha botërore e europiane me reprezentacion.
Ndërkaq, qendra 37 vjeçe, Pau Gasol ka dhënë këtë mesazh: Do të shohim ku jemi. Do të jem atëherë 39 vjeç... nuk e di, jam gjithmonë i hapur. I hapur për të bërë atë gjë që e dua shumë. Kam qejf të luaj për reprezentacionin dhe kam qejf të fitoj, prandaj… - kanë qenë fjalët e Paus pas ndeshjes, duke folur për Kupën e Botës 2019 që do të mbahet në Kinë dhe se siç duket nuk e ka në plan pensionimin ende.