1/2: RUSIA - SERBIA
Serbia mposht Rusinë, në finale e pret Sllovenia
15 September, 2017 @22:25
Edhe pse në këtë kampionat luajti pa yjet kryesorë si Milos Teodosic, Nikola Jokic, Miroslav Raduljica, Nemanja Bjelica e Nikola Kalinic, Serbia ka arritur të kualifikohet në finale të EuroBasket2017.
Në takimin gjysmëfinal të luajtur sonte ndaj Rusisë, përfaqësuesja serbe triumfoi me rezultat 87-79, në një duel që mund të thuhet që për serbët kaloi më lehtë se që pritej.
Të udhëhequr nga dyshja Bogdanovic-Marjanovic, serbët krijuan epërsi që nga fillimi i ndeshjes, epërsi e cila kryesisht sillej rreth 10 pikëve, ndërsa ngushtimi i saj erdhi kah fundi i çerekut të tretë, me Rusinë e udhëhequr nga Alexey Shved që tentonte vazhdimisht të rikthehej në lojë. 4 minuta para fundit të ndeshjes, Rusia e afroi rezultatin në 73-75 dhe kishte rastin që të kalonte në epërsi, mirëpo fundori Shved u tregua i pasaktë nga tentimi për 3 pikë dhe më pas Serbia shënoi në akcionin e radhës, për të mos lejuar më asnjë dilemë sa i përket fituesit.
Më të dalluarit në këtë fitore të Serbisë ishin dyshja e zakonshme Bogdan Bogdanovic me 24 pikë e 4 asistime dhe Boban Marjanovic me 18 pikë e 6 kërcime, kurse te Rusia paraqitje fantastike dhuroi Alexey Shved me plot 33 pikë e 5 asistime, mirëpo përfaqësuesja e tij u eliminua, duke ia ulur gjasat këtij lojtari që të shpallet MVP i EuroBasket2017.
Në finale Serbia takohet me Slloveninë, e cila ka harruar kur e ka pësuar humbjen e fundit në basketboll dhe për herë të parë e kërkon titullin e kampionit të Evropës në basketboll, ndërsa të njëjtën gjë e kërkon edhe Serbia, që suksesin më të madh në kampionate evropiane e ka vendin e dytë në vitin 2009.
Finalja zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:30 në Stamboll.