ANALIZË
Ekipi “B” i Serbisë në finale
Shkruan: BLERIM MYFTIU
16 September, 2017 @12:06
Para çdo Kampionati Evropian apo Botëror të basketbollit, tema më e nxehtë është se cilët lojtarë të kombëtareve përkatëse, sidomos ata që luajnë në NBA, do t’i përgjigjen ftesës së përzgjedhësit për ta kaluar verën në kamp dhe për të luajtur në shtator në garë. Vendimet shpesh varen nga vetë lojtarët, që për hir të karrierave të tyre personale, zgjedhin ta kapërcejnë kombëtaren dhe të përqendrohen në Euroligë apo NBA. Por, këto vendime shpesh varen apo diktohen nga udhëheqësit e klubeve të NBA-së, që në atë po këtë mënyrë, “i shantazhojnë” lojtarët. Lëndimet janë faktori shtesë komplikues në tërë këtë mes. Me të gjitha këto, basketbolli e ka këtë veçori që e dallon nga futbolli, volejbolli, hendbolli apo ndonjë sport tjetër kolektiv.
Të gjitha përfaqësueset patën humbje dhe mungesa. Ajo serbe mund të veçohet me një numër të madh mungesash sa që në opinionin serb, ekipi i përzgjedhur nga selektori Djordjevic u cilësua si “ekipi B” apo rezervë. Yjet e NBA-së, Nikola Jokić dhe Nemanja Bjelica, e refuzuan ftesën, përkatësisht kërkuan pushim. Disa ditë para kampionatit, ylli në ardhje në NBA dhe udhëheqësi i brezit, Miloš Teodosić u lëndua. Nikola Kalinić dhe Nemanja Nedović po ashtu nuk u rikuperuan me kohë. Nga lista përfundimtare ranë edhe dy emra që në 4-5 vitet e fundit e kthyen Serbinë në maje, Simonović dhe Raduljica. Me të drejtë, shumica e emrave që luajnë sivjet në kampionat do ta përcillnin atë nga ekrani po qe se të gjithë këta do të ishin të gatshëm apo të shëndoshë.
Alexey Shved, lojtari më i paguar i Evropës nga radhët e Khimkit, ishte gjenerali i ekipit rus. Që prej titullit të 2007-s, rusët nuk patën asnjë brez dhe pjesëmarrja e tyre në kampionatet e radhës u përshkua me rolin epizodik në grupe. As sivjet, ekipi nuk përbëhet nga lojtarë të mëdhenj dhe me emër, përveç Shvedit. I vetmi që mund t’i bëjë konkurrencë është emri i Timofey Mozgovit që disa vite bën karrierë në NBA, mirëpo nga paraqitjet në fazën knock-out nuk është se lë përshtypjen e një qendre dominuese.
Kjo ra në sy mbrëmë sidomos kundër Marjanovićit nga i cili u deklasua, por edhe nga Kuzmići. Por, plejmejkeri i dikurshëm mustaqok i sovjetëve, Sergei Bazarevich, ka arritur të komponojë një kimi të mirë dhe ta bart atë kimi të CSKA-së në kombëtare. Ndeshja kundër Kroacisë ishte një ndeshje jashtë kalibrit për Rusinë. Në çerekfinale kundër Greqisë u vu re se kjo kombëtare nuk ka ndonjë jashtëzakonshmëri, por gjendja e njejtë, me batica e zbatica, e grekëve medoemos se në fund do t’i hapte rrugë njërës për gjysmëfinale. Rusët e përdorën me mjeshtri këtë anë të shortit dhe arritën mendoj aty ku e kanë maksimumin.
Në pjesën e parë, serbët luajtën mbrojtje agresive ndaj Shvedit, i cili megjithatë arriti ta japë mesataren e pikëve, por asnjë prej lojtarëve të tjerë nuk e përdori “lirinë” dhe hapësirat që u krijuan nga koncentrimi i mbrojtjes serbe në Shvedin. Bogdanovići, Lučići dhe Milosavljevići luajtën mbrojtje me ndërrime ndaj tij, kurse për organizimin dhe frymën e mirë në sulm, meritat i ka Micići. Por, thyerja e lojës u bë nën kosh, ku Marjanovići dhe pjesërisht Kuzmići e fshinë mbrojtjen ruse. Posa e merrte topin, pa e rrahur në parket, me kthimin ballë koshit Marjanovići shënoi 12 pikë. Diferenca u krijua këtu.
Në mes të çerekut të tretë rusët u kundërpërgjigjën me 11:0, u vonua pushimi i Djordjevićit. Në çerekun e katërt dallimi u ngushtua edhe në dy pikë. Por, rolin vendimtar në fund e mori Bogdan Bogdanovići, i cili së pari me një treshe dhe më pas me një solo aksion 20-sekondësh kundër Chvostovit dhe shënim preciz për 83:76 e vulosi lojën. Ky depërtimi i fundit ishte klasik dhe kujtues për Dejan Bodirogan, i cili e përcillte lojën nga skaji. Bogdanovići me 10 pikë rresht siguroi fitoren kundër Turqisë, ai ishte kontribuuesi më i madh për diferencën kundër Hungarisë dhe Italisë, të njëjtën e bëri mbrëmë. Ngritja në piedestal e tij filloi që prej dy ndeshjeve të para çerekfinale të Fenerbahçes kundër Panathinaikosit në Athinë, në Euroligë. Vazhdoi më tutje. Vitin e ardhshëm do të jetë në Sacramento.
FINALJA
Të dielën mbrëma, do të luajë kundër Luka Dončićit, i cili është një yll po ashtu në ardhje. Nga ajo që pamë deri tani, sidomos nga Sllovenia, nuk ka si të mos jetë finale e bukur. Ose Sllovenia për herë të parë kampione, ose Serbia për herë të parë pas 2001, por gjithsesi për herë të parë pa ndihmën e asnjë republike tjetër jugosllave.