INFORMATORI NR 10
Dënohen referët e derbit Peja-Trepça
8 December, 2016 @0:13
Përmes Informatorit të fundit të Superligës, asaj të xhiros së dhjetë, Komesari i Garave të FBK-së ka bërë të ditur se janë dënuar referët e ndeshjes derbi Peja-Trepça të zhvilluar në “Karagaç” fundjavën që e lamë pas.
“Xhelal Mumini, Daut Mehmeti dhe Kushtrim Shala, për performancë të dobët në ndeshjen Peja-Trepça konform Nenit 54.9 të Propozicioneve të Garave dënohen me 2 ndeshje mosdelegim në tempo të delegimit të në ndeshjet e organizuara nga FBK,” - ka shkruar njoftimi.
E për shkak të reagimit të referëve në lojë kujtojmë ishin përjashtuar trajneri i Pejës, Aleksandar Todorov dhe basketbollisti i Trepçës, Jeremy Wise.
Ndërsa nga gjobat tjera nga kjo ndeshje janë cekur:
Aleksandar Todorov, trajner i KB Peja: 225 euro (Neni 50.1 dhe 50.2, gabimet teknike të përsëritura) + 300 euro (Neni 50.4, sjellje josportive në tavolinën zyrtare) si dhe ndalesë paraqitjeje në ndeshjen e radhës për verdhezinjtë.
Art Gashi, kryetar i KB Peja: 300 euro (Neni 50.4, sjellje josportive në tavolinën zyrtare).
Alban Veseli, basketbollist i KB Peja: 50 euro (Neni 50.1, gabim teknik).
KB Trepça: 300 euro (Neni 49.10, hedhje e shkrepëseve) + 300 euro (Neni 49.3, hedhje e petardave).
Jeremy Wise, basketbollist i KB Trepça: 200 euro (Neni 50, dy gabime teknike).