MARIO EDWARDS
Deri në fund, te Peja
17 December, 2013 @10:37
Mario Edwards, basketbollisti amerikan që u rikthye në Pejë javën e kaluar ka treguar arsyet e rikthimit dhe planet e tij për këtë stinor me Pejën.
Fundori 25 vjeçar është paraqitur disa minuta në Balkan League, ndërsa të dielën iu kthye edhe Superligës, dy vite pas largimit nga Peja.
“Kam pasur oferta edhe nga vendet tjera, mirëpo jam kthyer në Pejë sepse e njoh klubin, tifozët dhe qytetin. Gjithashtu, mundësia për të luajtur në Balkan League ka qenë një avantazh tjetër të cilën e ka Peja dhe Kosova, para vendeve tjera,” ka thënë Edwards duke përmendur arsyet e rikthimit të tij në Pejë.
Ndërsa sa i përket dallimit të ligës së atëhershme të Kosovës me këtë të tashmen dhe krahasimin, Edwrads, i njohur si Super Mario në Pejë ka thënë se ende i duhet kohë për të parë këtë.
“Nuk kam pasur rastin që të shoh shumë basketboll kosovar, prej se u ktheva këtu dhe gjithashtu nuk kam pasur rastin të jem për më shumë kohë në fushë të lojës për shkak se jam i ri në ekip,” ka shtuar ai.
Për fund, ai është shprehur i tejkënaqur me ekipin dhe rikthimin e tij te tifozët të cilët me aq pasion e duan ekipin.
“Plani im është që të qëndrojë te Peja deri në fund të stinorit. Unë kënaqem në Pejë dhe thjesht e dua energjinë dhe pasionin me të cilin tifozët e përkrahin ekipin e tyre,” ka thënë ai ekskluzivisht për Borozani.com
Edwards në minutat e kaluara ndaj Teodos në fushë, ka shënuar dy pikë dhe një asistim, derisa në ndeshje ndaj Dritës në fundjavë ai ka shënuar 9 pikë.
Prej se ka ardhur në Pejë ka pasur rast të zhvillojë dy ndeshje, një në BIBL dhe një në Superligë - ku Peja ka dalë fituese në të dyjat.