ANALIZË
Desmon Farmer, ylli i ri i Prishtinës
3 January, 2015 @11:14
Loja në sulm e Sigal Prishtinës, e cila deri më tani ishte e koncentruar kryesisht tek Dardan Berisha, tashmë mund të jetë më ndryshe.
Berisha, tani përkrah tij do ta ketë një ish lojtar të ligës NBA, i cili në rast se komponohet në mënyrë të duhur me yllin pejan, mund ta shndërrojnë skuadrën e Prishtinës në një ‘ankth’ të vërtetë për skuadrat kundërshtare, përfshirë këtu edhe ato të Ligës Ballkanike.
Është ky Desmon Farmer. Ish basketbollisti i skuadrave San Antonio Spurs, Seattle Supersonics dhe skuadrave të ndryshme nga Europa e bota.
Kush është Desmon Farmer?
Farmer është basketbollist amerikan që luan në pozitat 2 dhe 3. Është 33 vjeçar (i lindur më 7 tetor, 1981) dhe 196 centimetra i gjatë.
Karrierën e tij profesioniste e ka filluar në Universitetin Jugor të Kalifornisë (University of Southern California) gjatë viteve 2000-2004, ku ka pasur mesatarisht 19 pikë dhe afër 5 kërcime për ndeshje, në dy vitet e fundit.
Në vitin 2004 ai ishte pjesë e skuadrës nga NBA, Indiana Pacers, mirëpo para fillimit të stinorit në NBA, kontrata e tij me Pacers u shkëput dhe në nëntor të 2004-ës iu bashkua skuadrës greke, Aris, për ta provuar veten për herë të parë në një skuadër europiane.
Ai me skuadrën e Arisit ka luajtur edhe në ULEB Cup, ku ka regjistruar mesatare prej 7.9 pikëve, 4.1 kërcimeve dhe 2.2 asistimeve për ndeshje. Mirëpo aventura e tij në Greqi nuk zgjati shumë dhe vetëm pas dy muajve zhvendoset në Belgjikë për të nënshkruar kontratë një mujore me skuadrën BC Oostende, e më pas në shkurt të vitit 2005 kalon në Poloni te skuadra Prokom Trefl (me emrin e sotëm Asseco Gdynia).
Me skuadrën e Prokomit, Farmer kontribuoi për ta fituar kjo skuadër titullin kampion të Polonisë në stinorin 2005/06, si dhe regjistroi disa paraqitje në Euroleague me mesatare prej 7 pikëve për ndeshje, por ai nuk arrin ta përfundojë stinorin në këtë skuadër pasi shkarkohet nga skuadra e cila nuk ishte edhe aq e kënaqur me të.
Më pas kthehet në vendlindje dhe luan në D-League për skuadrën Tulsa 66ers, prej nga transferohet në skuadrën spanjolle Zaragoza.
Karriera në NBA
Pikërisht pas kësaj periudhe edhe fillon aventura e tij e parë në NBA. Farmer në tetor të vitit 2006 nënshkruan kontratë me skuadrën Seattle Supersonics, me të cilën ka luajtur në tetë ndeshje dhe ka pasur mesatare prej 1.6 pikëve dhe 1.1 kërcimeve.
Atij iu desht të rikthehet te skuadra Tulsa 66ers dhe më pas të kalojë në skuadrat Rio Grande Valley (D-League) dhe Atleticos de San German (Puerto Rico), për të nënshkruar për herë të dytë me një skuadër nga NBA, kësaj radhe me San Antonio Spursin, në shtator të vitit 2008.
Me San Antonion atij iu dha rasti nga trajneri Greg Popovich që të luajë në vetëm tre ndeshje përkrah yjeve që edhe sot janë pjesë e kësaj skuadre, Tim Duncan, Tony Parker dhe Manu Ginobili. Në këto tre parqitje Farmer mbeti në fushë mesatarisht për 17.7 minuta dhe regjistroi mesatare prej 4.3 pikëve dhe 2 kërcimeve për ndeshje.
Më pas karriera e tij vazhdoi sipas radhës nëpër skuadrat Spartak Primorje (Rusi), Zadar (Kroaci), Reno Bighorns (SHBA, D-League), Ironi Ashkelon (Izreal), Metros de Santiago (Republika Dominikane), Boca Juniors (Argjentinë), Bucaneros (Venezuelë), përsëri Reno Bighorns, dhe së fundi në skuadrën Condores nga Kolumbia. Te kjo e fundit ka pasur mesatare prej 27.9 pikëve për ndeshje gjatë stinorit 2013/14.
Forca shtesë e Prishtinës
Farmer pritet të jetë një forcë e re në skuadrën e Sigal Prishtinës, duke pasur parasysh përvojën e tij të madhe dhe efikasitetin e lartë me anë të saktësisë jashtë vijës 6.75 metra dhe depërimeve të pandalshme.
Skuadra nga kryeqyteti megjithëse e përfundoi stinorin vjeshtor në krye të ETC Superligës, si dhe për momentin pozicionohet në pozitën e dytë të grupit B në Ligën Ballkanike, loja e saj kohëve të fundit nuk është pëlqyer, që shkaktoi edhe një humbje të befasishme në shtëpi ndaj skuadrës Mornar, gjë që ishte njëra prej arsyeve për mosvazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Sabit Hadzic dhe firmosjes me trajnerin e ri Marjan Ilievski, i cili pritet të sjell risi në këtë skuadër.
E pikërisht ardhja e amerikanit Farmer në skuadër, do të krijojë më shumë mundësi që fryma e re që do të krijohet nën drejtimin e trajnerit Ilievski të jetë sa më pozitive. Dhe mesiguri që Farmer nuk do të jetë as përforcimi i vetëm i kësaj skuadre, e puna më e madhe do t’i mbetet Ilievskit për ta komponuar sa më mirë këtë skuadër.
Video