MOMENTE 2016
Doellman: Kemi mësuar diçka të re
31 December, 2016 @17:27
Amerikani që befasoi opinionin kryesisht europian të basketbollit me pranimin e përfaqësimit të Kosovës në kualifikime për Eurobasket, Justin Doellman, ka thënë se nuk është pishman për vendimin e tij dhe ka treguar se të gjithë kanë mësuar nga përvoja me përfaqësuesen e Kosovës.
“Ne ishim në konkurrencë me rivalët dhe kjo është më e rëndësishmja. Kemi pasur ndeshje të forta, por fatkeqësisht nuk i kemi fituar,” ka thënë fillimisht Doellman, shkruan Kosova Sot.
“Pas kontaktit me FBK-në unë u konsultova me familjen dhe ramë në përfundim se ndeshjet me përfaqësuese do të jenë përvojë e re dhe do t’më mbanin në ritëm për sezonin e ri me Barcelonën,” ka vazhduar ai.
“E gjithë kjo ka qenë diçka e re për mua, e mirëseardhur. Për mua ka qenë kënaqësi të punojë me njerëz të FBK-së dhe të luaja përkrah lojtarëve kosovarë. Të gjithë kemi mësuar diçka të re nga këto kualifikime, duke filluar nga unë e deri te FBK,” ka përfunduar ylli i Barcelonës, Doellman.
Doellman ka qenë basketbollisti më i dalluar i Kosovës në kualifikime për Eurobasket 2017, ku Kosova debutoi, ndërsa nuk arriti asnjë fitore.