BASHKIMI
Edhe Ajazaj largohet nga Bashkimi
5 April, 2014 @14:56
Njëri ndër basketbollistët më me perspektivë në Kosovë, Qëndrim Ajazaj, nuk është më basketbollist i skuadrës së Bashkimit.
Talenti 19 vjeçar ka vendosur të mos jetë më pjesë e ekipit ku është rritur pas mosmarrëveshjes me trajnerin Edin Kërveshi.
Sipas burimeve të Borozani.com, Ajazaj është ndarë i pakënaqur me trajnerin i cili nuk i dha fare hapësirë atij në finalen e Kupës së Kosovës, ndërsa pas ndeshjes ka pasur edhe një konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet lojtarit dhe trajnerit.
Largimi nga skuadra e konfirmoi edhe vetë Ajazaj, i cili me anë të një statusi në Facebook, bëri të ditur se nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit.
“Pas shumë analizave dhe konsulltimeve me familjen dhe me shokët, unë Qendrim Ajazaj, ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e KB. Bashkimi (senior). Kjo vjen si pasojë e neglizhimit, injorimit dhe anashkalimit që më është bërë kohëve të fundit dhe mos aktivizimit tim nëpër ndeshje. Gjithashtu shpreh dhe keqardhjen time për politikat e klubit të cilat po e çojnë atë drejt fundosjes. Kujtojmë faktin se të gjitha ekipet e Kosovës janë të mbushur me lojtarë prizrenas, e ndërsa vetë klubi ka mbetur në dorë të fatit me lojtarë të huaj të cilët luajnë veç sa për sy e faqe (dhe për xhep).
Kërkoj falje për modesti, por edhe pse me një karrierë te suksesshme deri tani, Zoti deshi që unë të mos jem “i zi” dhe të mos di të flas “serbisht apo turqisht”. Nuk arrita të ia mbush synin trajnerit aktual (i cili ka qenë poashtu trajneri im për 3 vite në gjeneratat e reja dhe të cilit i fitova ndeshje, tituj e kupa, tanimë nuk më “njeh” ose bëhet si i tillë. Le t’a brejë ndërgjegjja në qoftëse e ka atë natyrisht).
Unë do të vazhdoj të punoj këto muaj të mbetur deri në sezonin e ri dhe do shqyrtoj ofertat se ku do e vazhdoj karrierën.
Shfrytzoj rastin ta falenderoj zotin, familjen, trajnerët e sinqertë dhe të ndërgjegjshëm, bashkëlojtarët, shokët-shoqet si dhe të pakrahasueshmit Arpagjik’t. Do të kthehem një ditë. Shpresoj…,” ka shkruar Ajazaj në statusin e tij.
Qëndrim Ajazaj është basketbollisti i tretë i larguar me vetëdëshirë nga skuadra e Bashkimit për shkak të moskënaqësive të ndryshme me klubin gjatë stinorit pranveror. Më parë nga ekipi prizrenas ishin larguar edhe basketbollistët Bruno Daliu dhe Adnan Mustafa.