RRESHTOHEN FITORET

Foto: KBTrepca/ fb
Edhe pse më ngushtë sesa pritej, seria e Trepçës vazhdon
4 March, 2023 @20:10
Nuk kanë të ndalur fitoret e Trepçës nën drejtimin e Engin Gençoglut, ndërsa me sonte ekipi i tij mposhti edhe Rahovecin. Edhe pse shumë më ngushtë sesa pritej, Trepça ka ditur të dalë triumfuese në këtë duel, duke e fituar në fund me 6 pikë dallim, 79-73 [16-16, 30-19, 15-14, 18-24].
Vreshtarët u zgjuan në çerekun e fundit, kur nisën ngushtimin serioz të rezultatit, prej nga epërsia që luante rreth 10-pikëshit arriti në 4 pikë, 1-minutë para fundit të ndeshjes! Por, e gjitha ishte kaq, pasi që në tentimet e radhës Ujkan Karanezi e Jack Pagenkopf nuk shënuan për tre, e as Mike Green për dy, për tu mbyllur dueli me 79-73, pas gjuajtjeve të lira të Mikaile Tmusicit.
Reprezentuesi i Kosovës Tmusic ka qenë edhe koshashënues më i mirë i ekipit, duke shënuar 16 pikë, sa dha edhe Jamel Artis. Drilon Hajrizi standard si gjithmonë, me paraqitje komplete prej 15 pikësh, 4 asistimesh e 5 kërcimesh.
Te vreshtarët, që ende po mbahen për fije peri për të mos rënë edhe zyrtarisht nga Superliga, më së shumti pikë dha Igor Chumakov, 23. Ndërsa Edmond Kryeziu shënoi 14, e Visar Ejupi 13 të tjera.
Trepça me këtë fitore hyn në disponim për ndeshjen e vështirë që e pret ndaj Prishtinës si mysafir, kurse ka bilans 15-9 në pozitën e tretë, derisa Rahovecin tash vetëm magjia mund t’ia mohojë rënien, pasi që është i fundit në renditje me bilans 3-21 kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund të stinorit të rregullt.