NGA FEDERATA
Edhe Superliga e femrave bëhet me sponsor
Teksti: FBK
10 February, 2021 @23:30
Të mërkurën në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është nënshkruar marrëveshja mes FBK-së dhe Kompanisë EBC Cosmetics.
EBC Cosmetics do të jetë sponsor i Superligës së Femrave dhe tashmë kjo garë do të quhet EBC Superliga e Femrave.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Tea Belegu, përfaqësuese e EBC Cosmetics.
“Ne jemi shumë të lumtur që kemi një sponsor në elitën e basketbollit të femrave. Federata e Basketbollit e Kosovës gjithmonë është angazhuar që të masivizojë basketbollin e Kosovës dhe në veçanti të femrave. Garat e basketbollit te femrat kanë shumë rëndësi për FBK-në. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë një ndihmesë e madhe për klubet e Superligës së Femrave, por edhe për basketbollin e femrave në përgjithësi. Ne jemi falënderues për EBC Cosmetics, që përkrah basketbollin e femrave, në një kohë aspak të lehtë, kur vendi dhe globi po përballet me pandeminë e Covid-19”, është shprehur Dushku.
Në anën tjetër, Belegu ishte krenare që EBC Cosmetics do të jetë sponsore e Superligës së Femrave. “Si kompani jemi shumë krenarë që do të jemi sponsor të Superligës së Femrave. Ne do të mundohemi të japim ndihmën tonë për basketbollin e femrave. Besoj se bashkëpunimi do të vazhdoj për një kohë të gjatë. Jemi të lumtur që po bashkëpunojmë me Federatën e Basketbollit të Kosovës”, ka thënë Belegu.
Në Superligën e femrave aktualisht kreun e mbajnë vajzat e Bashkimit me bilans 11-1, ndërsa ndiqen nga ato të Vëllaznimit që kanë bilans 9-3.