KUPA 2022
FBK zyrtarizon Final 8 në Pejë
24 January, 2022 @12:11
Përmes një njoftimi të shkurtër botuar në faqen zyrtare të Federatës, FBK ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e KB Peja për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës në basketboll.
Me këtë, pas njoftimit të KB Peja edhe zyrtarisht prej datës 9 deri më 13 shkurt 2022 KB Peja do të jetë organizatore e Kupës së Kosovës në basketboll, ndërsa pritet të shihen ndeshje tejet interesante aty, ku njëra skuadër do të fitojë trofeun e parë të vitit 2022.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka miratuar kërkesën e KB Peja për organizimin e Final 8 Kupës së Kosovës në basketboll në datat 09-13 Shkurt 2022, pasi skuadra nga Peja i ka plotësuar kushtet e përcaktuara në konkursin për organizimin e Final 8 Kupës së Kosovës,” ka shkruar në njoftim-vendimin e FBK-së nënshkruar nga Arben Fetahu, kryetar i Federatës.
Fitues i fundit i Kupës së Kosovës në basketboll është Prishtina, që triumfoi në këtë garë për herë të 15 në vitin e kaluar, kur mposhti Yllin në finalen e organizuar në 13 qershori të Suharekës me rezultat 82-76. Te Prishtina që drejtohej nga Dragan Radovic në finale kishin shkëlqyer dyshja amerikane Tevin Mack me 24 pikë e 7 kërcime dhe Nigel Johnson me 21 pikë e 13 asistime, derisa lojtari tjetër i vetëm që kishte arritur pikë dyshifrore kishte qenë Meriton Ismaili me 12 sosh.