FITORE PËR NGRITJE NË RENDITJE

Foto: FCFerizaji/ fb
Ferizaji fiton dhe ngritet mbi Suharekën
7 March, 2025 @22:08
Suhareka debutuese në Superligë, që nisi stinorin më mirë se gjithë skuadrat tjera, tashmë është në krizë të vërtetë dhe me humbjen nga Ferizaji sot ka rënë në pozitë të shtatë të renditjes tabelare.
Ferizaji me dy gola të shënuara në pjesë të parë dhe me një gol të vonshëm në ndeshje siguroi fitoren e tetë kampionale, që është e treta me radhë në shtëpi në pjesën e dytë të stinorit të nisur në shkurt të këtij viti.
Ferizaji - Suhareka 3-1 [Albion Kurtaj 14’pen., Edon Sadriu 45’+2, Marko Musulin 86’—Mevlan Zeka 76’pen.].
Suhareka sot u drejtua nga Armend Simnica, pasi që ekipi pas ndarjes së rrugëve me trajnerin Qëndrim Kida nuk emëroi një kryetrajner tjetër në krye të shtabit teknik.
Mysafirët provuan disa herë për të shënuar, ndër ta u dallua loja e Liridon Fetahajt, por pa sukses për të bërë më shumë. Te vendasit, kapiteni Edon Sadriu shënoi super-gol, ndërsa penalltia e epërsisë fillestare ishte dhuratë nga mysafirët.
E në pjesë të dytë kur suharekasit tentonin me sistemin të gjithë në sulm, Ferizaji kishte 5 raste ideale për gol, prej të cilave konkretizuan vetëm njërën për vulosje të fitores.
Pas kësaj ndeshjeje, Ferizaji kalon në pozitë të gjashtë të tabelës me 29 pikë nga 23 ndeshje, ndërsa Suhareka pëson për të 11-tën herë këtë stinor dhe tashmë me 26 pikët e saja është e shtata aktualisht, me mundësi rënie edhe më poshtë në fund të xhiros, varësisht nga rezultatet e ndeshjeve të së shtunës dhe të dielës.