Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GOLAT ERDHËN NË PJESË TË DYTË

Ferizaji me synim Evropën, fundosi Suharekën

Foto: FCFerizaji/ fb/ F. Halili

Ferizaji me synim Evropën, fundosi Suharekën


4 May, 2025 @20:50

Ferizaji i drejtuar nga Arsim Abazi do të ketë mundësi historike në xhirot e fundit të Superligës. Bardhekaltërit, që sot fituan në Suharekë ndaj ekipit me të njëjtin emër tash janë në luftë direkte me Malishevën për një vend që dërgon në gara evropiane!

Kjo, erdhi pas fitores së arritur sot në pjesë të dytë, pasi që pjesa e parë përkundër rasteve të mira të të dyja palëve, nuk dha gola. Ishte Mevlan Zeka që rrezikoi për Suharekën, ndërsa Abdeen Abdul për Ferizajin në pjesë të parë. E pjesa e dytë, pas një goli të anuluar të Zekës për ofsajd (53’) shkoi në drejtim të mysafirëve.

Kjo, pasi Nafiu me një projektil i dha epërsinë ferizajasve, ndërsa kur Susuri me një veprim individual në zonë barazoi për vendasit, ka qenë Marko Musulin që me kokë, dha fituesin e ndeshjes, pas krosimit të Çlirim Avdullit, për përfundimtaren: Suhareka - Ferizaji 1-2 [Fitim Susuri 78’—Valmir Nafiu 58’, Marko Musulin 84’].

TABELA AKTUALE

Ferizaji, që këtë stinor iu rikthye Superligës po vazhdon me formën e mirë në pranverë dhe tashmë është i katërti në renditje me 48 pikë nga 32 ndeshje, sa ka edhe Malisheva që është e treta por me goldallim më të mirë. Pozita e tretë siguron kualifikime për Ligë të Konferencës!

Suhareka në anën tjetër, në stinorin debutues në Superligë pas super-startit që patën, tashmë janë në rënie të lirë dhe me 33 pikë nga 32 ndeshje, janë të nëntit (pozita që rrëzon nga Superliga) me 7 pikë më pak se pozita e tetë që jep shpresa për mbijetesë përmes barazhit.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga