DUELI PËR TROFE: PËR DITËN E PAVARËSISË
Finalja e Kupës te femrat: Bashkimi-Prishtina
18 January, 2024 @15:15
Me fitore të ndaj Pejës-03, KBF Bashkimi ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës, ku do të luajë përballë KBF Prishtinës. Vajzat e Bashkimit kanë arritur të fitojnë ndeshjen gjysmëfinalet të Kupës me 14 pikë dallim, për të mposhtur ekipin pejan.
Arbnore Përquku me 17 pikë, 12 asistime e 8 kërcime ka qenë më e dalluara në fitore, ndërsa pos saj me double-double ndeshjen e kreu edhe Sarah Mgbeike që shënoi 15 pikë, 7 asistime dhe 10 kërcime. Te ekipi humbës më e dalluara ka qenë Zërina Shatri që luajti me 21 pikë, 2 asistime e 9 kërcime.
Finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës do të luhet më 17 shkurt në “Shani Nushi” të Gjakovës, që është organizatore e turneut final të Kupës “Final 8” për Superligë, Kupës së Ligës së Parë dhe finales së Kupës së Kosovës për femrat.
KBF Prishtina në anën tjetër siguroi finalen e Kupës duke e mposhtur Penzën e Pejës me rezultat 90-78, rezultat ky që erdhi pas dy vazhdimeve nga 5 minuta, pasi që ndeshja në kohë të rregullt nuk gjeti fitues. Jade Williams te KBF Prishtina luajti 35 pikë, 4 asistime dhe 18 kërcime.