Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRIZREN

Fitore dramatike e Bashkimit pas dy vazhdimeve

BOROZANI/ Dren Shporta

Fitore dramatike e Bashkimit pas dy vazhdimeve


28 April, 2016 @20:54

Janë nevojitur plot 50 minuta lojë, për t’u përcaktuar fituesi i ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës në palestrën Sezai Surroi sot.

Bashkimi shënoi fitore shumë të rëndësishme, në një ndeshje tejet dramatike, duke e barazuar serinë e Play-Offit në 1-1.

Ndeshja filloi me lojën e mirë të mysafirëve, të cilët e përfunduar çerekun e parë me shtatë pikë epërsi, 9-16.

Në çerekun e dytë vazhdoi skenari i njëjtë vetëm deri në gjysmën e tij, pasi lëndimi i Mohamed Abukarit kur kishin mbetur edhe 5 minuta deri në përfundim të pjesës së parë, u bë edhe pikë thyese e ndeshjes.

Nga ai çast, Bashkimi i shtrëngoi dhëmbët dhe krijoi seri të shpejtë prej 10-0, për të shkuar më pas në pushim me rezultat pozitiv prej katër pikëve epërsi, 33-29.

Vendasit vazhduan me përqëndrim maksimal sidomos në mbrojtje edhe gjatë çerekut të tretë, duke mos lënë në asnjë çast Prishtinën që ta përmbys disavantazhin, derisa shumica e pikëve të ekipit prishtinas vinin nga gjuajtjet e lira.

Por epërsia e Bashkimit vazhdoi vetëm edhe tre minuta në çerekun e katërt, pasi me pikët e Jason Washburn dhe treshet e Dardan Berishës, Prishtina kaloi në epërsi, për ta ruajtuar ate deri 36 sekonda para fundit, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, Granit Rugova e barazon rezultatin për 64-64.

Kemp dërgon ndeshjen në vazhdime

Në sulmin e radhës, Prishtina e humb topin, derisa Rugova përsëri del në skenë duke shënuar trepikësh, për 67-64.

Dhe kur u mendua se gjithçka do të përfundojë me kaq, gjuajtja nga një distancë më e largët se gjysma e fushës e Willie Kemp, e barazoi rezultatin në 67-67, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.

Drama vazhdoi edhe në pesë minutat shtesë, ndërsa as kjo kohë nuk mjaftoi që skuadrat ta mposhtin njëra tjetrën.

Vetëm 20 sekonda para fundit, Prishtina ishte në epërsi prej dy pikëve, 76-78, derisa Granit Rugova me dy shënime të sakta nga gjuajtja e lirë e barazoi rezultatin për 78-78, rezultat ky me të cilin përfundoi edhe vazhdimi i parë.

Në 5 minutëshin e dytë të vazhdimeve Prishtina u hendikepua edhe më shumë, pasi Jason Washburn dhe Gerti Shima u larguan për shkak të pesë gabimeve personale, ndërsa këtë e shfrytëzoi Bashkimi duke shënuar në fund fitore me rezultat 88-86.

Granit Rugova dhe Rokas Uzas ishin koshashënuesit më të mirë në këtë fitore të Bashkimit me 24 pikë secili, derisa një më shumë se ta shënoi Dardan Berisha.

Vlen të ceket se gjatë këtyre 50 minutave lojë, te Bashkimi u paraqitën vetëm gjashtë lojtarë, derisa tre prej tyre (Bussey-Rugova-Uzas) nuk u zëvendësuan për asnjë çast, duke mbetur gjatë gjithë kohës në fushë, sikurse edhe Dardan Berisha nga ana e bardhekaltërve që ishte i pazëvendësueshëm.

Tani seria gjysmëfinale është barazuar në 1-1, ndërsa ndeshja e radhës do të luhet përsëri në Prizren.



Statistikat ekipore

Bashkimi Sigal Prishtina
Çereku i parë 9 16
Çereku i dytë 24 13
Çereku i tretë 21 18
Çereku i katërt 13 20
Vazhdimi i parë 11 11
Vazhdimi i dytë 10 8
Kërcime 43 50
Asistime 17 17
Bllokada 2 5
Topa të vjedhur 6 8
Topa të humbur 19 22
Tentime për tre pikë 12/39 11/36
Tentime nga loja 29/77 28/75
Tentime nga gjuajtjet e lira 18/28 19/25


Statistikat individuale te Bashkimi

1 Granit Rugova 24 pikë 6 kërcime 4 asistime
2 Rokas Uzas 24 pikë 9 kërcime 6 asistime
3 Theron Bussey 16 pikë 4 asistime 2 kërcime
4 Qëndrim Biraj 13 pikë 4 kërcime 1 asistim
5 Endrit Hysenagolli 7 pikë 15 kërcime 2 asistime
6 Imer Tahiri 4 pikë 7 kërcime 2 topa të vjedhura
7 Arion Balluku - - -
8 Edmond Kryeziu - - -
9 Altin Gashi - - -
10 Ardit Memqaj - - -


Statistikat individuale te Sigal Prishtina

1 Dardan Berisha 25 pikë 8 kërcime 4 asistime
2 Willie Kemp 16 pikë 6 kërcime 5 asistime
3 Jason Washburn 12 pikë 15 kërcime 4 bllokada
4 Andrew Warren 11 pikë 4 asistime 1 kërcim
5 Gerti Shima 7 pikë 9 kërcime 2 asistime
6 Thomas Massamba 6 pikë 5 kërcime 2 asistime
7 Edmond Azemi 5 pikë 3 kërcime 2 topa të vjedhura
8 Mohamed Abukar 4 pikë 3 kërcime -
9 Gazmend Sinani 0 pikë 1 top të vjedhur 1 bllokadë
10 Mërgim Jakupi - - -
11 Rinor Peci - - -

 
Të gjitha lajmet nga