EURCUP FINAL
Galatasaray fiton Eurocupën
27 April, 2016 @20:47
Galatasaray ka shënuar fitore në ndeshjen e kthimit të finales së Eurocup për ta fituar trofeun europian të basketbollit.
Basketbollistët e trajnerit Ergin Ataman kanë mposhtur Strasbourgun 78-67 në përballjen e sotme në “Adbi Ipekçi Arena” të Stambollit.
Errick McCollum dhe Stephane Lasme kanë qenë lojtarët më efikas të Galatasarayit me nga 16 pikë të shënuara. Lasme ka shënuar dyshifror të dyfishtë ku përveç 16 pikë e 10 kërcime në këtë triumf të madh të ekipit turk.
Me 14 pikë, 8 kërcime e 6 asistime ka kontribuuar edhe kapiteni Sinan Guler që solli këtë triumf të verdhekuqve nga Stambolli.
Ekipi francez nuk ka arritur të mbrojë epërsinë 4 pikëshe nga ndeshja e parë dhe është ndarë kokulur nga finalja, te të cilët më efikasi ishte Mardy Collins me 16 pikë e 5 asistime.
Ndërsa fjalët e Atamanit në fillim të sezonit janë bërë realitet:
“Nëse Euroliga neve nuk na pranon, ne do të fitojmë Eurocupën për të siguruar Euroligën stinorin tjetër. Të shohim a do të na ndalojnë atëherë.”
Ky është trofeu i parë ndërkombëtar i Galatasarayit në basketboll dhe i dyti në basketbollin turk në përgjithësi, pas Efes Pilsenit të dikurshëm.