Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHENJA POZITIVE TE EKIPI MITROVICAS

Trepça nis riorganizimin me Rafet Prekazin si drejtor sportiv

Trepça nis riorganizimin me Rafet Prekazin si drejtor sportiv


16 May, 2024 @12:58

Skuadra e Trepçës ka rënë nga Superliga e Kosovës në stinorin 2016/17 dhe që prej stinorit 2017/18 është pjesë e Ligës së Parë të Kosovës. Gjelbërezinjtë nga Mitrovica kanë mbetur aty dhe deri tash nuk kanë pasur as ambicie më të mëdha sesa qëndrimi në Ligë të Parë.

Mirëpo, si duket gjërat po ndërrojnë dhe më në fund ekipi mitrovicas ka marrë premtime të mëdha për investime në klub dhe kryetari i saj Nexhmedin Haxhiu veçse ka nisur lëvizjet në klub. Si fillim, ai ka rikthyer në ekip ish-futbollistin, njeriun që drejtoi Kosovën U-21 për një periudhë dhe legjendën e futbollit Rafet Prekazi.

Haxhiu ditë më parë prezantoi Prekazin si drejtor sportiv të KF Trepça. E ky i fundit kur ka parë projektin, pa hezitim ka pranuar detyrën. Së paku kështu ka thënë për llogarinë zyrtare të Trepçës në Facebook.

“Jam shumë i lumtur që u riktheva në folenë time. Kemi të bëjmë me një projekt shumë serioz dhe që në momentin e prezantimit, nuk kam hezituar për të pranuar ftesën. Do të punojmë për të rikthyer namin e dikurshëm të Trepçës dhe rikthimin e saj në majat e futbollit kosovar,” ka thënë Prekazi në deklaratën e tij dhënë për llogarinë e klubit.

Trepça së fundi u drejtua nga kryetrajneri Emin Baliqi me ekipin e tij, të gjithë ish-lojtarë të ekipit. Aktualisht, “minatorët” janë në pozitë të shtatë të Ligës së Parë - Grupi A, ndërsa kanë 30 pikë dhe kanë siguruar mbijetesën në këtë kategori garash, që është e dyta për kah rëndësia në futbollin e Kosovës, pas Superligës.

“Synimi kryesor është rikthimi i Trepçës në Superligë, prej sot po hapim kapitullin e ri të skuadrës, ndërsa organizimin e ri po e fillojmë me legjendën Rafet Prekazi,” ka thënë Haxhiu në prezantimin e tij.

Trepça është dy herë kampione e Kosovës pas pavarësimit të futbollit kosovar. Mitrovicasit kanë fituar titullin kampion të Kosovës në stinorin 1992/93, ndërsa të fundit në stinorin 2009/10.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë