ELEKTRICISTËT SIGUROJNË NGRITJEN, TASH KËRKOJNË EDHE TITULLIN
KEK-u rikthehet në Ligë të Parë
14 May, 2024 @8:06
Pas katër stinorësh të kaluara në Ligë të Dytë të Kosovës, skuadra e KEK-ut nga Obiliqi ka siguruar tashmë njërën nga dy vendet e para në tabelën e Ligës së Dytë dy xhiro para fundit të stinorit dhe kështu ka vulosur rikthimin në Ligë të Parë të Kosovës në futboll.
Ekipi i KEK-ut ka qenë i pakompromis këtë stinor në kuadër të Ligës së Dytë, ndërsa ende nuk ka pësuar asnjë humbje duke udhëhequr renditjen tabelare me 72 pikë, pas 22 fitoreve dhe 6 barazimeve të regjistruara. Në dy xhirot e fundit, KEK-u do të luftojë për të siguruar edhe trofeun e kampionit të Ligës së Dytë, për të cilën po lufton me KF Mitrovicën, që duket se do të bëhet ekipi i dytë që ngritet nga Liga e Dytë këtë stinor në të Parën për stinorin 2024/25.
TABELA AKTUALE dhe REZULTATET E STINORIT
Golashënuesi më i mirë i ekipit është Besart Dushi që ka të shënuara 15 gola, i ndjekur nga Arbnor Shala me 9 të shënuara, që kanë arsyetuar besimin e dhënë nga trajneri Enis Nasufi. Në dy xhirot e fundit, KEK-u do të luajë derbi ndaj Prizrenit si mysafir në “Përparim Thaçi” dhe stinorin do ta mbyllë ndaj Sharrit në “Agron Rama”.