TRIUMFON TREPÇA
Trepça një hap para titullit, seria finale bëhet 2-1
16 May, 2024 @21:05
Trepça ka shënuar fitore në duelin e tretë të serisë finale të playoffit të Superligës ndaj Yllit, për të bërë rezultatin 2-1 në seri dhe për t’iu afruar në një fitore titullit kampion.
Mitrovicasit kanë pasur paraqitje të mirë në çerekun e dytë, kur bënë dallimin kryesor në ndeshje (26-10) për të fituar duelin me 85-78.
Në fakt, ndeshjen e nisi më mirë Ylli. Fitoi çerekun e parë 11-21, por rikthimi i fuqishëm dhe kryesor në ndeshje u bë në periudhën e dytë të lojës, kur mitrovicasit bënë dallim 16 pikësh me 26-10, për të shkuar në pushim 37-31. Epërsia më e madhe në ndeshje ishte deri në 7 pikë, pos pjesës së fundit, kur arriti një herë në 9 pikë. Ylli ngushtoi gjithçka në çerek të tretë me 18-23 ndërsa në fund Trepça shumë më e koncentruar dhe e saktë fitoi duelin. Në çerek të fundit Ylli shumë herë dështoi të shënonte nga pozita të pastra.
Ka qenë Kevin Capers sot më efikasi te Trepça. Ai dha 19 pikë, ndërsa luajti edhe me 7 asistime e 7 kërcime. 16 pikë i shënoi Erjon Kastrati, me dy treshe në momente kyqe, për të hapur dallimin në rezultat, ndërsa 15 të tjera i dha Darnell Edge, që bëri edhe 6 asistime e 6 kërcime në ndeshje.
Yllit nuk i mjaftuan 28 pikët e Alonzo Verge Jr. Vincent Cole shtoi 13 të tjera, ndërsa 11 i dha Jalen Nesbitt. Në gjysmën e dytë të çerekut të fundit, Ylli mbeti pa Jan Palokajn dhe Nate Grimesin, që shkaktuan nga pesë gabime personale, që bëri Trepçën “pa stres” të shkojë drejt fitores në minutën e fundit të lojës.
Seria tash bartet në “13 qershori” të Suharekës, ku Ylli duhet të fitojë për të çuar serinë në ndeshjen e pestë dhe vendimtare, ndërsa Trepça me fitore do të bëhet kampione e Kosovës, për herë të parë që prej stinorit 2011/12. Dueli i katërt zhvillohet më 19 maj.