Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALS: PEJA - YLLI

Fitore edhe në ndeshjen e tretë, Ylli shpallet kampion i Kosovës!

Fitore edhe në ndeshjen e tretë, Ylli shpallet kampion i Kosovës!


11 May, 2021 @22:04

Për herë të parë në histori të klubit, skuadra e Yllit nga Suhareka sonte u shpall kampione e Kosovës në basketboll!

Suksesin historik skuadra e drejtuar nga kryetrajneri Adis Beciragic e arriti pasi në serinë finale e mposhti 3-0 Pejën.

Fitorja e tretë dhe vendimtare e serisë u shënua sonte në “Karagaç”, ku Ylli në fund fitoi me rezultat 67-70.

Për dallim nga pjesa tjetër e ndeshjes, që i takoi plotësisht Yllit, dhjetë-minutëshin e parë pejanët e mbyllën me 10 pikë epërsi (24-14), për ta nisur kështu shumë mirë ndeshjen.

Më pas, Ylli ishte më i mirë në çerekun e dytë dhe e ngushtoi pak epërsinë, duke i çuar skuadrat në pushim me rezultat 41-34 në të mirë të Pejës.

SKEMA E PLAY OFF-IT

Paraqitjen fenomenale Ylli e vazhdoi edhe në çerekun e tretë, në të cilin përsëri shënoi 10 pikë më shumë se Peja (13-23), e kështu 10-minutëshin e fundit skuadrat e nisën me rezultat 54-57 për mysafirët.

Mjaft dramatik ishte edhe çereku i fundit i ndeshjes, i cili kaloi me luftë të fortë deri në fund, por në momentet vendimtare të ndeshjes, më i përqëndruar u tregua ekipi i Yllit, që e mbylli në fund ndeshjen me fitore, për ta fituar kështu titullin kampion. Disa kapje të topit në mbrojtje nga Gëzim Morina e Valon Bunjaku si dhe saktësia nga gjuajtjet e lira të Erjon Kastratit bënë që Ylli të mos e lëshojë epërsinë në fund dhe ta fitojë edhe duelin e tretë ndaj Pejës, duelin vendimtar për titull.

Elyjah Clark me 19 pikë, 5 asistime e 3 kërcime dhe Erjon Kastrati me 16 pikë e 4 asistime ishin më meritorët në fitoren e Yllit sonte, kurse te pejanët më i miri sonte ishte Dardan Berisha me 21 pikë, 6 kërcime e 3 asistime.

Kujtojmë që më herët gjatë sezonit skuadra suharekase e fitoi edhe Ligën Unike në edicionin e parë të saj.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga