LIDERJA
Fitore rutinore e Prishtinës
14 March, 2014 @23:21
Skuadra e Sigal Prishtinës ka kaluar pa problem pengesën pejane, Besa, në Pallatin e Rinisë dhe të sporteve sonte duke e mposhtur me rezultat 94-69.
Fitorja me 25 pikë dallim prishtinasve që po luftojnë edhe për TOP 2 të ligës ballkanike ka ardhur në saje të angazhimit të pjesshëm të ekipit bardhekaltër, derisa Marin Dokuzovski ka provuar të gjithë lojtarët përveç Lorik Kllokoqit - që ka qenë për herë të parë në formacion të Sigal Prishtinës dhe Granit Rugovës, ende jo të gatshëm 100% për lojë.
Qendra suharekase e Sigal Prishtinës, Blerim Mazreku ka qenë lojtari më efikas te ekipi i tij me 25 pikë të shënuara dhe 11 kërcime, duke regjistruar kështu double-double në fitoren e 17-të të ekipit të tij.
Te pejanët është dalluar Nakia Miller, gjithashtu me double-double prej 25 pikëve dhe 12 kërcimeve, derisa pikë dyshifrore krahas tij ka shënuar vetëm edhe super talenti Arti Hajdari, 19 sosh.
Sigal Prishtina prej sonte nis përgatitjet për duelin e madh ndaj Craivoas në Rumani në kuadër të ligës ballkanike, që me fitore do t’ia lehtësonte shumë punët për arritjen e synimit - vendit të dytë në Ballkan.
Rezultatet dhe tabela aktuale.