BLAJIC
Pritet të largohet
13 March, 2014 @23:48
Playmakeri kroat i Sigal Prishtinës, Josip Blajic, pritet të largohet nga ekipi prishtinas. Edhe pse zyrtarisht ende nuk është kumtuar asnjë njoftim nga ekipi kryeqytetas që po lufton për dy vendet e para në ligën ballkanike, burime pranë klubit kanë bërë të ditura se kroati pritet të largohet.
Blajic i cili kishte ardhur si i huaji i pestë te Sigal Prishtina vetëm për të luajtur në ligën ballkanike si duket nuk ka arritur të bind trajnerin e ri prishtinas Marin Dokuzovski. Ai kishte ardhur si përforcim në kohën e trajnerit turk, Ceyhun Cabadak.
Gjatë ditës, edhe portali informativ Indeks Online ka bërë të ditur për largimin e Blajicit dhe të qendrës amerikane me përvojë K’Zell Wesson nga Sigal Prishtina.
Blajic pjesën e parë të stinorit e kaloi te Bashkimi duke arritur që të renditet ndër asistuesit dhe koshashënuesit më të mirë në Superligë.
Sigal Prishtina është duke shikuar mundësinë që të përfundojë në dy vendet e para të Balkan League, që sigurojnë Final Fourin dhe në rast të largimit të lojtarëve të përmendur ata do të duhet të përforcohen menjëherë pasi që në xhirot e radhës do të kenë punë të vështirë ndaj Levskit të Sofias si vendas dhe Craiovas si mysafir.