DOKUZOVSKI
Sigal Prishtina meritoi fitoren
13 March, 2014 @10:55
Trajneri i ri i Sigal Prishtinës, Marin Dokuzovski, që erdhi si zëvendësim i të dorëhequrit Ceyhun Cabadak ka thënë se ekipi i tij e meritoi fitoren mbrëmë ndaj Kozuvit në ligën ballkanike.
“Mendoj se presioni ka qenë te ne dhe ne është dashur të fitojmë, pasi që rezultati për rivalin ka qenë i parëndësishëm. Në pjesën e dytë filluam të luajmë lojën tonë dhe ishim më të mirë në mbrojtje. Mendoj se e merituam fitoren,” ka thënë maqedoni, transmeton faqja zyrtare e BIBL.
Sa i përket ndeshjes me Levskin, që pritet të jetë përcaktues për pozitën e dytë në tabelë, për të cilën luftojnë edhe Sigal Prishtina edhe Levski Sofia ai ka shtuar:
“E di se Levski ka marrë dy përforcime. Wilkinson dhe Heath janë shtesë në skuadër dhe ekipi nuk është ai që ka qenë. Për mua, Levski është favorit i BIBL, mirëpo ne luajmë para publikut tonë që është lojtari i gjashtë i yni,” është shprehur më tej Dokuzovski.
Që nga koha kur ka ardhur në taborin prishtinas maqedoni, ekipi i tij ka regjistruar vetëm fitore.