ENDRIT HYSENAGOLLI
Fitorja për Arpagjik’t, ndeshja më e bukur e stinorit
29 April, 2016 @14:30
Qendra shqiptare e Bashkimit, Endrit Hysenagolli, në përballjen e mbrëmshme ka qenë dominues nën kosh.
Me 15 kërcime të realizuara ka qenë shtylla kryesore Bashkimit në këtë pozitë, ndërsa në prononcimin e tij ekskluziv për Borozani.com ka thën se ka qenë fitorja më e bukur e këtij stinori për ekipin e tij.
“Ishte fitorja më e bukur e këtij stinori. Duke pasur parasysh sa mungesa i kemi në ekip. Shto këtu edhe lëndimin e Griffin Ramme në përballjen e parë të Play-Offit, mbetëm me 6 lojtarë në këtë ndeshje dhe prapëseprapë nuk u dorëzuam,” ka thënë fillimisht Hysenagolli për Borozani.com.
Ndeshja më e bukur e stinorit
Qendra 210 centimetra e gjatë e ka cilësuar këtë ndeshje si më të bukurën e krejt stinorit për ekipin e tij.
“Besoj se kjo ka qenë ndeshja më e bukur e këtij stinori, jo vetëm e jona, por e gjithë Superligës së Kosovës. Duke parë se si shkoi ndeshja, kur na barazuan në sekondën e fundit nga koshi në kosh, pastaj vazhdimet dramatike,” ka shtuar ai.
Me këtë lojë të treguar tashmë qendra shqiptare e Bashkimit shpreson që edhe në përballjen e radhës me bashkëlojtarët e tij të tregojnë performancë të ngjajshme dhe ta fitojnë edhe atë ndeshje.
“Shpresoj që në ndeshjen e tretë të bëjmë po të njejtën lojë dhe pse jo të fitojmë. Të rikthehen tifozët përsëri në palestër. Ndërsa fitorja e djeshme shkon për ata, Arpagjik’t,” ka thënë në fund të bisedës me Borozani.com Hysenagolli.
Endriti ka shënuar 7 pikë mbrëmë ndërsa ka realizuar 15 kërcime e 2 asistime në fitore ndaj Prishtinës.
E radhës në Prizren, pastaj në Prishtinë
Bashkimi me këtë fitore ka barazuar serinë gjysmëfinale të Play-Offit ndaj Prishtinës në 1-1. Përballja e radhës luhet gjithashtu në “Sezai Surroi” të Prizrenit, që pritet të zhvillohet të dielën, ndërsa pas kësaj ndeshjeje seria bartet në Prishtinë.
Ekipi që arrin 3 fitore së pari, kalon në finale të Play-Offit.
Sigal Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës, fituese aktuale e Kupës dhe triumfuese e dyfishtë e ligës ballkanike.
Hysenagolli (28 vjeç) mbrëmë ka pushuar vetëm 5 minuta nga 50 minuta sa ka zgjatur loja, e cila shkoi në dy vazhdime për të përcaktuar fituesin e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Play-Offit.