PA DËNIME TË VEÇANTA!
Fundjavë e qetë për Komisionin e Garave
7 November, 2023 @10:48
Komisioni i Garave të FBK-së këtë fillim-javë nuk ka pasur fort punë, pasi që fundjava në Superligë kaloi përgjithësisht mirë dhe nuk pati nevojë për të shqiptuar dënime e për të shfletuar rregulloret për thyerjet eventuale.
Përballjet Vëllaznimi-Prishtina, Peja-Bashkimi që llogariteshin si derbi pak më të nxehta, kaluan pastër, pa gabime, ndërsa KG ka shqiptuar vetëm dy gjoba për gabime teknike (Leurit Morina, KB Prizreni dhe Josip Plantak, (trajner) KB Vëllaznimi)dhe ka suspenduar për dy ndeshje Mehmet Xhemajlin, vëzhgues te Peja-Bashkimi konform Nenit 56.1, që suspendon për “kryerje të papërgjegjshme të detyrës, moszbatimi i udhëzimeve dhe vedimeve të KG…”.
Pas përfundimit të ciklit të parë të dueleve në Superligë ku janë ndeshur së paku njëherë secili me secilin, Peja është lidere e stinorit me bilanc perfekt, 7-0, ndërsa Istogu i fundit me bilanc 1-6.