KOSOVA U20
Furkan Saglik flet për përgatitjet, synimet dhe garat në Shkup
Teksti: FBK
5 July, 2021 @16:50
Vashat e Kosovës U20 po vazhdojnë me përgatitje, ku garat po afrohen, derisa lojtaret po japin maksimumin në stërvitje.
Përzgjedhësi i Kosovës U20, Furkan Saglik ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Kur kemi filluar përgatitjet nuk kemi qenë të kompletuar, sepse Astera Tuhina luan në Spanjë, kurse Enisa Kamerolli dhe Agnesa Rrahmani ishin të angazhuar me ekipin e Kosovës A. Por, jemi duke u munduar të krijojmë të atmosferë të mirë dhe lojtaret të jenë sa më të afërta njëra me tjetrën”, është shprehur Saglik për faqen zyrtare të FBK-së.
Te Kosova U20 angazhohen lojtare që luajnë jashtë Kosovës si Dea Pushkolli në SHBA, Astera Tuhina në Spanjë dhe Tringa Ukaj në Suedi. “Ato luajnë jashtë dhe mendja e tyre është e hapur. Kjo na ndihmon shumë. Por ne jemi duke krijuar një ekip të veçantë, ku nuk ka dallim mes lojtareve vendore dhe atyre që luajnë jashtë Kosovës”, shtoi tutje përzgjedhësi i Kosovës U20.
Kosova do të luajë në grup me Rumaninë, Sllovakinë, Luksemburgun dhe Maqedoninë e Veriut. “Ne do të luajmë me lojtare 17 dhe 18 vjeçare në një garë me U20. Do të jetë e vështirë. Do të mundohemi të ndihmojmë lojtaret tonë që ato të rriten dhe të jenë të gatshme për Kombëtaren A. Ky është synimi primare për ne”, nënvizoi ish-trajneri i Bashkimit, duke shtuar: “Rumania dhe
Sllovakia kanë ekipe të mira dhe programe për të ardhmen. Maqedonia e Veriut është e afërt me ne. Sigurisht se ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje, por synimi është të fitojmë ndaj Maqedonisë Veriore”, u shpreh Furkan Saglik.
Kosova U20 (F) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 Women’s European Challengers, që do të organizohet në Shkup prej 13 deri më 18 Korrik 2021.