MATADORËT
Gasoli e dërgon Spanjën në finale të Eurobasketit 2015
Blerim Myftiu
18 September, 2015 @11:43
Shfaqja ishte madhështore dhe pas çerekfinales më të mirë dhe emocionuese ndërmjet Italisë dhe Lituanisë një natë më parë, gjysmëfinalja e parë e luajtur mbrëmë e tejkaloi atë dhe vuri standarde të larta pritshmërie për garën e mëtutjeshme të Eurobasketit 2015.
Pas ndeshjes, trajneri i Francës Vincent Collet (lexo: Vensan Kolle) është ankuar për referimin e njëanshëm dhe favorizimin e ekipit spanjoll. Ka pohuar që përderisa Pau Gasol ka përdorur 18 gjuajtje të lira dhe çdo kontakt me të është dënuar me faul, ekipi i tij ka shkuar shumë më pak në vijën e gjuajtjeve. Sipas tij, kriteri jo i barabartë i referimit ka qenë kyç në mposhtjen e francezëve.
Në anën tjetër, duhet kujtuar trajnerit francez se Franca nga fundi i çerekut të tretë dhe fillimi i atij të katërtit ka pasur 11 pikë plus. Ka qenë po ashtu Franca e cila në 6 minutat e fundit të ndeshjes ka shënuar vetëm tri pikë nga loja (dhe atë pas gjuajtjes së Batumit 14 sekonda para fundit ku për një shënim të tillë edhe fati ka rol të madh). Gjatë këtyre 6 minutave, francezët nuk kanë pasur ide si të sulmojnë (karshi mbrojtjes fenomenale të Spanjës). Po gjatë këtyre 6 minutave, pothuajse çdo sulm i Spanjës ka qenë copy-paste – topi i lëshuar Gasolit, luajtja e tij me shpinë të kthyer nga koshi, faulimet qoftë gjatë dyluftimit për pozicionim apo pas driblimit nga Gasoli, të cilat secilën herë e dërguan Gasolin në vijën e gjuajtjeve të lira dhe nga e cila vijë ky ishte i pagabueshëm.
Në saje të kësaj, Gobert (lexo: Gober), Lauvergne (lexo: Llovernj, jo Llovernje si në RTK apo Llauvern si në SuperSport) dhe Diaw (lexo: Dijo, jo Dijau si në RTK apo SuperSport) u futën në telashe me faule personale. Në fund, prapë gjatë këtyre 6 minutave, Collet nuk kërkoi asnjë pushim (derisa Spanja nuk kaloi në epërsi numerike).
Nuk është e çuditshme prandaj që Gasoli ta përfundojë lojën me 40 pikë, ku pothuajse gjysma e tyre vijnë nga gjuajtjet e lira. Collet ka pasur pjesërisht ndoshta të drejtë kur gjatë kërcimit në fund të ndeshjes ndoshta Gasoli e tërheq De Colon dhe kësisoj e merr kërcimin dhe ngulit.
Prapseprapë, loja e luajtur në 6 minutat e fundit është fajtore kryesore për mposhtjen e Francës dhe referët në këtë rezultat luajtën rol minimal, jo domethënës.
Francezët patën një natë bukur të mirë snajperistike, sidomos në tre çerekët e parë. E përfunduan ndeshjen me precizitet 43% për 3 pikë, karshi atij 19% të Spanjës. Ekuilibrimi i këtij parametri u arrit përmes gjuajtjeve të lira ku spanjollët qëlluan me 92% (24/26), kurse francezët me 59% (10/17).
Një pjesë e këtyre gjuajtjeve të lira u humbën gjatë vazhdimeve, prandaj këtu kemi edhe një element tjetër që fshihet pas dështimit të Francës (kujtojmë tri gjuajtje të lira në fund të Batumit, dy të parat prej të cilave i humb nga mospreciziteti).
Duhet theksuar se Scariolo i rikthyer në stol pati një ekip të përgjysmuar. Munguan për shkak të lëndimeve Marc Gasol, Ricky Rubio, Jose Calderon dhe Juan Carlos Navarro. Megjithatë, Spanja ia ktheu hakun Francës për mposhtjen e vitit të kaluar në çerekfinalen e Kampionatit Botëror para publikut të vetë, si edhe për atë të finales së Eurobasketit 2013 në Lubjanë.
Furia e kuqe e kaloi testin ndoshta kryesor. Para nesh është gjysmëfinalja e dytë që duhet të jetë po aq e fortë, bazuar në atë që kanë treguar deri tani Serbia dhe Lituania. Më pas finalja e madhe, para 27 mijë shikuesve të radhës, në arenën e Lille-it.
Video
Pau Gasol